Shpenzimet e Qeverisë së Kosovës në tremujorin e parë të vitit 2026 kanë arritur në 792 milionë euro, duke nxitur reagime kritike në opinionin publik për strukturën e buxhetit dhe mungesën e investimeve kapitale. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara, të hyrat e shtetit për të njëjtën periudhë kanë qenë 841.8 milionë euro, duke treguar një bilanc të ngushtë mes të ardhurave dhe shpenzimeve, ndërsa struktura e shpenzimeve vazhdon të dominohet nga pagat, skemat sociale dhe transferet. Pjesa më e madhe e buxhetit është orientuar drejt kompensimit të punëtorëve në sektorin publik, ku për paga dhe mëditje janë shpenzuar 298.2 milionë euro, që përbën 38% të totalit të shpenzimeve. Krahasuar me vitin e kaluar, kjo kategori shënon rritje të ndjeshme. Po ashtu, për kontribute sociale dhe përfitime janë shpenzuar 248.4 milionë euro, përfshirë pensionet dhe skemat sociale, duke e bërë këtë një nga zërat më të mëdhenj të buxhetit shtetëror. Ndërkohë, investimet kapitale mbeten dukshëm më të ulëta. Për formimin e kapitalit bruto janë ndarë vetëm 20 milionë euro, një rënie e konsiderueshme krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në ndarjen sektoriale, mbrojtja sociale dominon me 251.9 milionë euro, e ndjekur nga arsimi me 118.8 milionë euro, ekonomia me 104.2 milionë euro, si dhe rendi e shëndetësia me mbi 80 milionë euro secila. Të hyrat shtetërore, megjithatë, janë mbështetur kryesisht në tatime indirekte, ku vetëm TVSH-ja ka sjellë 377.4 milionë euro, ndërsa doganat dhe tatimet në importe mbi 179 milionë euro. “Shtet për lëmoshë” që varet kryesisht nga shpenzimi social dhe jo nga rritja e kapitalit produktiv.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
