Agim Shahini: Kufizimi i pagesave cash mbi 2 mijë euro godet qytetarët dhe diasporën, favorizon bankat

Kryetari i Aleancës Kosovare për Biznese, Agim Shahini, ka kritikuar ashpër vendimin e Administrata Tatimore e Kosovës për ndalimin e pagesave me para të gatshme mbi 2 mijë euro, duke e cilësuar atë si një masë të nxituar që, sipas tij, do të rëndojë qytetarët, diasporën dhe bizneset, ndërsa përfituesit kryesorë do të jenë bankat. Shahini tha se institucionet po e luftojnë informalitetin në adresën e gabuar, duke vendosur barrë mbi konsumatorët në vend se të rrisin kontrollin ndaj shitësve që nuk lëshojnë fatura fiskale. “ATK është dashur ta kontrollojë shitësin dhe jo ta kufizojë blerësin. Kjo masë do t’i godasë qytetarët, diasporën dhe ata që investojnë kursimet e tyre në Kosovë”, deklaroi ai. Sipas Shahinit, vendimi prek veçanërisht bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit dhe nuk posedojnë shtetësi të Kosovës, të cilët në shumë raste nuk mund të hapin llogari bankare në vend, por investojnë në ndërtim dhe blerje të materialeve të ndryshme. Ai argumenton se ndërtimi i një shtëpie apo realizimi i investimeve familjare shpesh kërkon pagesa prej disa mijëra eurosh dhe se detyrimi për t’i kaluar të gjitha transaksionet përmes sistemit bankar krijon kosto shtesë dhe procedura të panevojshme për qytetarët.  “Nëse dikush shet pa faturë, problemi nuk është forma e pagesës, por mungesa e kontrollit. Informaliteti luftohet me inspektim dhe me arka fiskale, jo duke detyruar çdo qytetar të kalojë nëpër bankë”, tha ai.  ATK-ja ka njoftuar se nga 1 qershori 2026, çdo pagesë mbi 2 mijë euro ndërmjet bizneseve dhe individëve duhet të realizohet vetëm përmes sistemit bankar ose formave të tjera elektronike të pagesës, ndërsa shkelësit e këtij rregulli mund të përballen me masa ndëshkuese dhe gjoba.

Kontrolloni gjithashtu

Apeli vulos aktakuzën për korrupsion ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt

Gjykata e Apelit ka konfirmuar aktakuzën për korrupsion ndaj kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc”, …