Arben Gashi: 200 milionët e shpërndarë para zgjedhjeve nuk forcuan ekonominë, përfunduan në konsum dhe importe

Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se mbështet çdo formë ndihme për qytetarët, por ka kritikuar mënyrën se si Qeveria ka shpërndarë mjetet financiare, duke vlerësuar se ato nuk kanë prodhuar efekt pozitiv për ekonominë e vendit. Gashi tha se shpërndarja e rreth 200 milionë eurove pak para zgjedhjeve ka pasur ndikim të kufizuar ekonomik, pasi shumica e mjeteve janë përdorur për konsum afatshkurtër dhe jo për investime që do të krijonin zhvillim të qëndrueshëm. Sipas tij, një pjesë e madhe e këtyre parave janë shpenzuar për produkte ushqimore dhe mallra të importuara, gjë që ka bërë që kapitali të largohet shpejt nga ekonomia vendore. “Efekti ekonomik është negativ, sepse ato para kanë shkuar kryesisht për konsum. Janë blerë produkte që Kosova i importon dhe, pas një periudhe të shkurtër, ato mjete nuk kanë mbetur më në tregun e Kosovës”, tha Gashi. Ai theksoi se ekonomia e vendit ka nevojë për politika që nxisin prodhimin vendor, investimet dhe hapjen e vendeve të reja të punës, në mënyrë që mjetet publike të krijojnë vlerë të qëndrueshme dhe të kenë ndikim afatgjatë në mirëqenien e qytetarëve. Gashi vlerësoi se mbështetja sociale është e rëndësishme, por ajo duhet të shoqërohet me masa zhvillimore që forcojnë ekonominë dhe rrisin konkurrueshmërinë e tregut vendor.

Kontrolloni gjithashtu

Rritet ndjeshëm numri i institucioneve dhe agjencive të pavarura që po përballen me mungesë të anëtarëve

Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj ka shfaqur shqetësimin e tij për …