Albert Z. ZHOLI: Intervistë me aktivistin e çështjes kombëtare, ushtarin e UÇK -së, nga Gjilani, z. Gani Neziri

Albert Z. ZHOLI: Intervistë me aktivistin e çështjes kombëtare, ushtarin e UÇK -së, nga Gjilani, z. Gani Neziri

– Në stadiumet e futbollit, kur luanin skuadrat kosovare me ekipet serbe, ne shpërthenin në kor me thirrjen “Eeeee… Hooooo…”, që nënkuptonte “Enver Hoxha

Babai ynë kishte lidhur radion me spango stacionin që të mos humbiste valët e Radio Tiranës.

Kur isha në klasë të parë bëra një vjershë për Enver Hoxhën dhe agjentët e UDB filluan të më pyesnin kush të ka nxitur

– Në vitin 1981 një polic serb kur isha në burg me dy vëllezërit erdhi me gazetë në dorë dhe më tha: “Enver Hoxha ka vrarë Mehmet Shehun, me kë je?” “Me Enverin”,- i thashë

– Momentet më emocionuese për ne ishin paradat ushtarake në Shqipëri, krenoheshim dhe merrnim forcë

-Për ne Shqipëria ishte nëna, ndërsa Kosova bija që priste të bashkohej me të

– Shumë shqiptarë të Kosovës qanin fshehurazi kur vdiq Enveri, sepse edhe shprehja e dhimbjes për Enver Hoxhën mund të sillte pasoja nga UDB-ja.

Për dekada me radhë, shqiptarët e Kosovës jetuan nën trysninë e regjimit titist dhe survejimit të egër të UDB-së, ku edhe një këngë shqiptare, një fotografi nga Tirana apo dëgjimi i Radio Tiranës mund të konsideroheshin “veprimtari armiqësore”. Megjithatë, në zemrat e shumë kosovarëve, Shqipëria mbeti simbol i shpresës, identitetit dhe qëndresës kombëtare. Përmes kujtimeve të tij të drejtpërdrejta, aktivisti i njohur i çështjes kombëtare nga Gjilani, z. Agron Neziri, sjell një dëshmi të rrallë mbi emocionet, frikën, burgjet dhe dashurinë e pafund për Shqipërinë në vitet e vështira të Jugosllavisë titiste. Në këtë intervistë ai rrëfen survejimin nga UDB-ja, ndjekjen fshehurazi të Radio Tiranës, burgosjen për bindjet e tij patriotike dhe emocionin e madh kur shkeli për herë të parë në Tiranë. Gani Neziri është një nga ata burra të Kosovës që e ka provuar mbi supe peshën e persekutimit politik gjatë regjimit të Titos, por që nuk u përkul kurrë përballë padrejtësive. I përndjekur për bindjet dhe idealet e tij kombëtare, ai mbeti gjithmonë besnik i çështjes shqiptare. Më vonë, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dha kontributin e tij të çmuar për lirinë e vendit, duke lënë gjurmë të respektuara në historinë e luftës çlirimtare. Sot, Gani Neziri ndihet krenar për UÇK-në, si forcën që i solli Kosovës lirinë dhe dinjitetin. Po aq krenar është edhe për Shqipërinë, e cila në ditët më të vështira të luftës së vitit 1999 hapi dyert dhe zemrat për qindra mijëra shqiptarë të Kosovës. Ai e kujton me mirënjohje mikpritjen e familjeve shqiptare, solidaritetin e popullit dhe mbështetjen e shtetit shqiptar, duke e konsideruar atë periudhë si një dëshmi të fuqishme të vëllazërisë kombëtare. Për të, lufta e Kosovës dhe ndihma e Shqipërisë mbeten dy faqe të pandara të historisë së shqiptarëve, që treguan se kombi di të bashkohet në momentet vendimtare. I ardhur me ftesë të OVP të LANÇ-it për Konferencën Shkencore “Masakra e Tivarit akt barbar serbo-malazez” ai për Telegraf u shpreh:

– Z. Agron, si i ndiqnit zhvillimet në Shqipëri gjatë regjimit titist në ish-Jugosllavi?

Ne i ndiqnim me shumë vështirësi radion dhe televizionin shqiptar. Në atë kohë regjimi titist dhe UDB-ja survejonin gjithçka. Për shqiptarët e Kosovës ishte e rrezikshme të dëgjoje Radio Tiranën apo të shfaqje simpati për Shqipërinë. Babai ynë kishte lidhur radion me spango që të mos humbiste valët e Radio Tiranës. Askush nuk guxonte ta hiqte. Ishte si një amanet në shtëpinë tonë. Kur fillonte emisioni në shqip nga Tirana, ne mblidheshim rreth radios si para një drite shprese. UDB-ja kishte rrjet të madh spiunazhi. Survejoheshin familjet, shkollat, kafetë, stadiumet, madje edhe bisedat mes miqve. Vetëm një fjalë për Shqipërinë mund të të kushtonte burgun. Por megjithatë, dashuria për Shqipërinë nuk ndalej dot. Për ne, Enver Hoxha ishte simbol i qëndresës shqiptare. Shumë kosovarë e shihnin si njeriun që ngrinte zërin për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

– Çfarë ndjenje kishit personalisht për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën?

Personalisht kam qenë dhe mbetem me vijën e Enver Hoxhës për Kosovën. Ai ka folur shumë për ne dhe për çështjen kombëtare shqiptare. Kur isha në klasë të parë bëra një vjershë për Enver Hoxhën dhe e varën në këndin e klasës në Gjilan. Mbaj mend disa vargje:

“Kush e do më shumë Kosovën?
Kush e do më shumë Shqipërinë?
Enveri patriot me shokët e tij…” Pikërisht për këtë vjershë më morën në pyetje agjentët e UDB-së. Më pyetën: “Kush të ka mësuar për Shqipërinë dhe Enver Hoxhën?” Unë u thashë: “Më kanë mësuar babai dhe nëna.” Që nga ajo kohë familja jonë hyri në survejim të vazhdueshëm.

– A keni pasur dënime për këto bindje dhe veprimtari?

Po. Në vitin 1981, për simpatinë tonë të hapur ndaj Shqipërisë dhe Enver Hoxhës, mua dhe dy vëllezërit e mi na futën në burg për “agjitacion dhe propagandë”. Ishte periudhë shumë e rëndë. Në Kosovë çdo shprehje patriotike konsiderohej rrezik për Jugosllavinë. Në atë kohë ndodhi edhe vetëvrasja e Mehmet Shehut. Ne në Kosovë e donim shumë Mehmet Shehun, sidomos pas vizitës së tij në Tropojë në vitin 1978, ku kishte folur me shumë dashuri për Kosovën. Më kujtohet si sot. Ishte vitit 1981. Një polic serb erdhi me gazetë në dorë dhe më tha: “Enver Hoxha e ka vrarë Mehmet Shehun.” Unë mbeta i shtangur. Nuk e besoja. Kur lexova lajmin mbeta i ngrirë. Polici më pyeti: “Tani që Enveri vrau Mehmet Shehun, me kë je?” I thashë: “Së pari nuk besoj se e ka vrarë Enveri. Së dyti kjo është sajese.” Ai këmbënguli: “Po mirë, me kë je?” “Me Enverin”, iu përgjigja. Sot mendoj se ndoshta duhej t’i thosha: “Me të dy.”

– Thuhet se në stadiumet e futbollit, kur luanin skuadrat kosovare me ekipet serbe, tifozët shqiptarë shpërthenin në kor me thirrjen “Eeeee… Hoooooo…”, që nënkuptonte “Enver Hoxha”. Çfarë ndodhte në ato momente?

Po, është e vërtetë. Ishte mënyra jonë për të treguar dashurinë ndaj Shqipërisë dhe revoltën ndaj regjimit serb. Kur shpërthente stadiumi me “Eeeee… Hoooooooo…”, të gjithë e dinin se thërrisnim emrin e Enver Hoxhës. Agjentët e UDB-së e kuptonin shumë mirë se çfarë do të thoshte ajo thirrje. Por përballë mijëra tifozëve dorëzoheshin. Nuk kishin çfarë të bënin. Shpesh futeshin në turmë, fotografonin njerëz, mbanin shënime, arrestonin më vonë të rinjtë patriotë. Por nuk mund ta ndalonin dot atë shpërthim popullor. UDB-ja kishte frikë edhe nga Sigurimi shqiptar. Kishin pasur shumë humbje në kufi dhe e dinin se përballë kishin një shtet që mbronte interesat kombëtare shqiptare.

Kur keni ardhur për herë të parë në Shqipëri dhe si jeni ndjerë?

Për herë të parë kam ardhur menjëherë pas luftës në Kosovë me një autobus të mbushur plot kosovarë që vinim për herë të parë. Në ballinë të autobusit vura një pëlhurë të gjatë ku shkrova “MIRË SE TË GJEJMË NËNË SHQIPËRI” Kur kalova kufirin, zemra më rrihte ndryshe nga çdo herë tjetër. Lotët më lagën fytyrën. Në fakt, nga lotët nuk shpëtuan as shokët e mi të udhëtimit që shumica ishim ish të burgosurit politik antijugosllav. Të gjithë ne e ndjenim në shpirt dhimbjen e viteve të humbura për tokën tonë. Shumica nga ne u përkulëm dhe ramë në gjunjë për të puthur tokën e ëndrrave tona. Mos të kenë habinë lexuesit kur them se, përbesë na pëlqente edhe të fusim në gojë pak tokë shqipnie. Se ç’mu pat kujtuar në atë moment kur Baba më thoshte; “O bir, toka e Shqipnisë ashtë e amël bënë edhe me hangë”. Udhëtuam tërë natën pa bërë as edhe një sy gjumë duke u përpjekur të shohim çdo gurë e çdo ferrë të tokës shqiptare. Lisat e mëdhenj dhe shkëmbinjtë kodrinor më dukeshin si vëllezërit e mi. Gjatë gjithë jetës time e kisha imagjinuar në ëndrra të heshtura ashtu si më fliste Babai që mbante dashuri thellë në zemrën e tij për Shqipërinë dhe shokun Enver. Më ngjante se atdheu po na pret në heshtje, sikur donte të na thoshte se nuk na kishte harruar asnjëherë. Në atë çast kuptova se njeriu mund të jetë nga vendlindja, por kurrë larg nga shpirti i saj. Mallin për Shqipërinë nuk kam arritur ta shuaj kurrë. As atëherë e as sot pa njëqind vizitave një pas një.

– Cilat ishin momentet më emocionuese për ju në Televizionin Shqiptar apo në Radio Tirana?

Ah, momentet më emocionuese për ne ishin paradat ushtarake në Shqipëri. Kur shikonim trupat që parakalonin, tanket, avionët luftarakë, marinsat dhe ushtarët shqiptarë, zemra na bëhej mal. Qanim nga emocionet. Për shumë njerëz kjo mund të duket e çuditshme sot, por për ne në Kosovë ato pamje ishin krenari kombëtare. Ndiheshim më të fortë. Mendonim se Shqipëria ishte e gatshme të mbronte shqiptarët kudo që ishin. Kur dëgjonim muzikën ushtarake shqiptare apo fjalimet patriotike në Radio Tirana, na dukej sikur nuk ishim vetëm. Ishte një ndjenjë force dhe shprese në një kohë kur jetonim nën presion dhe frikë. Edhe filmat shqiptarë na emociononin jashtë mase. Në ato filma shikonim gjuhën tonë të pastër, flamurin kuqezi dhe historinë shqiptare. Ishin si një dritare lirie për ne.

 -Ku ke qenë kur vdiq Enver Hoxha dhe si vepruat kur morët lajmin e vdekjes?
Më 11 prill 1985 kur pushoi së rrahuri zemra e shokut Enver isha në mërgim në Kroaci.
Ikja ime nga atdheu ishte shumë e rëndë ashtu si edhe koha kur isha në burg. Dhe me gjithë faktin e kushteve shumë të mira për jetë, nuk më kujtohet as edhe natë e vetme që të jem ndjerë rehat në mërgim. Çdo ditë e çdo natë mendja ime fluturonte mbi Kosovën time të dashur e të shtypur nga serbi dhe te shokët e mi që kishin mbetur gjithandej burgjeve jugosllave. Por, lajmi për vdekjen e shokut Enver më goditi thellë. Më kujtohet kur për disa çaste mbeta pa fjalë. Për një çast i harrova të gjitha brengat që përmenda më lart. M’u duk se një copë e historisë sonë po ndahej nga kjo botë. M’u duk se u shemben kodrat e malet.
Në ato çaste të heshtjes që pasoi kujtova sakrificat dhe arsyet që më kishin detyruar të largohesha nga atdheu për t’i shpëtuar arrestimit të dytë nga UDB jugosllave.
Lajmi i asaj dite u përzie me mallin për atdheun. Tani kur kanë kaluar disa dekada ende e kujtoj çastin kur e dëgjova lajmin dhe heshtjen që pasoi.

– Babai juaj ishte veteran lufte dhe një ndër dëshmitarët e Masakrës së Tivarit. Çfarë ju ka treguar ai për atë ngjarje tragjike?

Babai më ka treguar shumë për Masakrën e Tivarit dhe gjithmonë këmbëngulte se ajo nuk ishte vepër e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Ai shkoi aty pas dy ditësh për të marrë informacion të plotë dhe thoshte se Enver Hoxha nuk mund ta bënte kurrë një gjë të tillë, pasi Shqipëria kishte dërguar trupa për çlirimin e Kosovës dhe kishte derdhur gjak për shqiptarët e Kosovës. Babai më thoshte shpesh: “Nëse do të kishte pasur qëllim kundër kosovarëve, pse do t’i çonin në Mal të Zi? Një gjë e tillë mund të bëhej edhe në Kosovë. Por kjo ishte një prapaskenë tjetër.” Sipas tij, Tito ishte shumë i zgjuar në lojërat politike dhe në përçarjen e kombeve. Por zgjuarsinë Tito e përdorte kundër shqiptarëve. Babai im  besonte se Masakra e Tivarit ishte organizuar nga strukturat jugosllave për të dobësuar shqiptarët dhe për të krijuar mosbesim mes Kosovës dhe Shqipërisë. Babai tregonte se pas masakrës kishte shumë hutim, frikë dhe propagandë, ndërsa e vërteta fshihej. Ai mendonte se regjimi jugosllav kërkonte që shqiptarët të fajësonin njëri-tjetrin, në mënyrë që të dobësohej ndjenja kombëtare shqiptare. Këto rrëfime më kanë mbetur thellë në kujtesë dhe më kanë bërë të kuptoj sa e vështirë dhe e ndërlikuar ka qenë historia jonë kombëtare.

– Po sot në Kosovë si flitet për Shqipërinë? A ndihen shqiptarë kosovarët?

Sot kohët kanë ndryshuar shumë. Propaganda serbe për dekada ka bërë punën e vet dhe në disa raste edhe ndikimet fetare e politike kanë ndikuar që ndjenja kombëtare të zbehet disi tek një pjesë e njerëzve. Por unë besoj se shumica dërrmuese e kosovarëve e shohin ende Shqipërinë si trungun dhe rrënjën e gjithë shqiptarëve. Pavarësisht se historia na ndau në dy shtete, ne jemi një komb. Shqipëria për ne mbetet atdheu ynë shpirtëror dhe kombëtar. Ne flasim shqip. Ne themi se jemi shqiptarë. Pra, jemi shqiptarë të Kosovës, por mbi të gjitha jemi shqiptarë. Kjo ndjenjë nuk shuhet lehtë. Mund të ndryshojnë sistemet politike, mund të ketë propaganda apo interesa të ndryshme, por gjuha, gjaku, historia dhe kultura na bashkojnë. Unë gjithmonë them: kufijtë mund të ndajnë shtetet, por nuk mund të ndajnë kombin shqiptar.

  • Në radhët e UÇK ku ishit pjesë në kë formacion ushtarak? Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nga udhëheqës të UCK-së tashmë po gjykohen Në Hagë. Kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe me ngarkesë të madhe historike, politike dhe emocionale për shumë shqiptarë. Mendimi juaj?

Në radhët e të madhërishmes UÇK jam angazhuar më 10 Qershor 1998, në Zonën Operative të Karadakut, Brigada 173 “Gursel e Bajram Sylejmani”. Aty kam kryer detyrën e kujdesit kundër infiltrimit të armikut brenda radhëve tona. Në gjuhën ushtarake kjo nënkupton Zbulimin dhe kundërzbulimin (ZKZ). Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po gjykohen për gjoja akuza që lidhen me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar akuzat dhe procesi gjyqësor vazhdon. Dhe unë jam pro tyre. Ishim në kushte të vështira lufte, pra luftonim për mbijetesë nga një regjim që vriste dhe fëmijët në bark të nënës. Nga këndvështrimi historik, është e padiskutueshme që UÇK-ja luajti një rol vendimtar në rezistencën e armatosur kundër regjimit të Slobodan Milošević dhe në përpjekjet për çlirimin e Kosovës. Për shumicën e shqiptarëve të Kosovës dhe më gjerë, luftëtarët e UÇK-së konsiderohen çlirimtarë dhe simbol i sakrificës për liri. Gjykata ka për detyrë të shqyrtojë provat me seriozitet provat (pasi mendoj janë të fabrikuara) dhe të vendosë nëse akuzat ndaj personave konkretë provohen apo jo. Shqiptarë besojnë se Serbia ka ushtruar ndikim politik dhe propagandistik për të dëmtuar imazhin e UÇK-së dhe se drejtësia ndërkombëtare nuk ka qenë gjithmonë e balancuar në trajtimin e krimeve të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Lufta e Kosovës për liri dhe roli historik i UÇK-së mbeten pjesë e rëndësishme e historisë së shqiptarëve, ndaj për mua ata janë heronj, janë udhëheqës, janë ata që na ndriçuan rrugën drejt çlirimit.

Kontrolloni gjithashtu

Ramadan Avdiu: Intervistë me z. Shyqëri Ukshinin, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare

Demonstratat e Marsit e Prillit të vitit 1981, ndikuan fuqishëm në zgjimin e ndjenjave kombëtare …