Rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë në shumicën dërrmuese të komunave të Kosovës, duke kryesuar në gjithsej 21 komuna. Sipas të dhënave aktuale, LVV prin në komunat: Prishtinë, Dardanë, Gjilan, Viti, Lipjan, Hani i Elezit, Gjakovë, Pejë, Therandë, Shtime, Ferizaj, Kastriot, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Besianë, Dragash, Prizren, Rahovec, Kaçanik, Fushë Kosovë dhe Klinë. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës kryeson në tri komuna: Skenderaj, Drenas dhe Malishevë. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është forca e parë në dy komuna, në Deçan dhe Junik. Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës kryeson vetëm në Burim, duke qenë komuna e vetme ku kjo parti ka dalë e para sipas rezultateve preliminare. Këto rezultate pasqyrojnë dominimin territorial të Vetëvendosjes në nivel vendi, ndërsa PDK, AAK dhe LDK kanë ruajtur epërsinë vetëm në disa nga bastionet e tyre tradicionale.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
