Mazllum Baraliu: Qytetarët e ndëshkuan Vetëvendosjen për qasjen makiaveliste dhe mungesën e aftësisë politike

Profesori Mazllum Baraliu ka vlerësuar se rezultati i Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit përfaqëson një mesazh ndëshkues nga qytetarët ndaj partisë në pushtet. Sipas tij, një pjesë e elektoratit ka krijuar bindjen se VV-ja ka tejkaluar kufijtë e veprimit politik racional, duke synuar maksimalizimin e pushtetit përmes qasjeve që ai i cilësoi si makiaveliste. “Populli ka parë që VV-ja po e tepron dhe kur dikush pretendon maksimumin e maksimumit në forma të ndryshme është makiavelizëm politik dhe prandaj populli e ka ndëshkuar”, është shprehur Baraliu. Ai tha se qytetarët nuk e kanë pranuar narrativën e Vetëvendosjes se opozita ishte fajtore e vetme për bllokadën politike në vend. “VV-ja gjithashtu u ndëshkua pasi populli nuk e hëngri propagandën e tyre se opozita është shkaktare e bllokadës”, deklaroi ai. Baraliu theksoi se në perceptimin e votuesve ka ndikuar edhe mungesa e konsekuencës në qëndrimet politike të kësaj force. “Del që qytetari i ka ndëshkuar edhe këta sepse ndryshonin qëndrimet dhe ishin jo konsekuentë, jo sa duhet të angazhuar”, u shpreh profesori. “Votuesi e ka kuptuar që edhe këta e kanë një pjesë të përgjegjësisë, madje edhe më të madhen, sepse ishin fitues me 51 për qind dhe, me këtë përqindje, të mos jesh në gjendje të krijosh institucione për më shumë se tre muaj tregon mungesë të aftësisë politike për të krijuar institucione dhe për të qeverisur pastaj”, ka deklaruar Mazllum Baraliu.

Kontrolloni gjithashtu

Përfundon numërimi në Junik, Ardian Gjini del kandidati më i votuar

Ka përfunduar procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë në komunën e Junikut, …