Të nderuar familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, qytetarë të Kaçanikut! Gëzuar Ditën e Çlirimit të Kaçanikut, një nga datat më të rëndësishme në historinë e qytetit tonë dhe të Kosovës. Më 11 qershor 1999, njësitë çlirimtare të Brigadës 162 “Agim Bajrami”, me guxim, sakrificë dhe vendosmëri të jashtëzakonshme, e çliruan Kaçanikun nga forcat okupatore serbe, duke i dhënë fund një periudhe të rëndë shtypjeje dhe duke hapur rrugën e lirisë. Kjo ditë nuk është vetëm një datë kalendarike. Ajo është simbol i qëndresës, i sakrificës dhe i dashurisë së pakushtëzuar për atdheun. Liria që gëzojmë sot ka një çmim të shenjtë – gjakun dhe jetën e bijve dhe bijave më të mira të këtij vendi.
Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare si e tillë mori përkrahje nga SHBA-të dhe NATO-s. Falenderim i përjetshëm për gjith botën demokratike e veçanorishtë për SHBA-të. Për çlirimin e Kaçanikut ranë 95 dëshmorë, të cilët me sakrificën e tyre u bënë themeli i lirisë sonë. Ata lanë pas familjet, ëndrrat dhe jetën e tyre, por fituan pavdekësinë në kujtesën e popullit dhe në historinë e kombit shqiptar. Emrat dhe veprat e tyre do të mbeten përherë udhërrëfyes për brezat që vijnë. Sot, me mirënjohje të pakufishme, përulemi para familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, të cilët bartën barrën më të rëndë të sakrificës.
Kontributi i tyre është pjesë e pandashme e identitetit dhe krenarisë sonë kombëtare. Detyra jonë sot është që ta ruajmë dhe ta forcojmë lirinë për të cilën u flijuan dëshmorët tanë. Të punojmë për zhvillimin e Kaçanikut, për forcimin e shtetit tonë dhe për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, demokratike dhe të begatë. Vetëm kështu do ta nderojmë denjësisht amanetin e atyre që dhanë gjithçka për lirinë e Atdheut.
Në këtë ditë të shenjtë kujtimi dhe krenarie, le të bashkohemi në respektin për të kaluarën dhe në përkushtimin për të ardhmen. Le të kujtojmë gjithmonë se liria nuk ishte dhuratë, por rezultat i sakrificës së madhe të dëshmorëve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përkrahur nga kombi shqiptarë! Lavdi e përjetshme 95 dëshmorëve të Kaçanikut dhe të gjithë dëshmorët të UÇKsë në krye me Komandantin Legjendar Adem Jashari! Lavdi Brigadës 162 “Agim Bajrami” të UÇK-së! Lavdi të gjithë martirëve dhe dëshmorëve të kombit të të gjitha periudhave historike! Urime dita e çlirimit të Kaçanikut! Gëzuar!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
