Ndahet nga jeta komandanti i UÇK-së, Sahit Jashari, njëri nga themeluesit e luftës çlirimtare

Ndahet nga jeta komandanti i UÇK-së, Sahit Jashari, njëri ndër themeluesit dhe luftëtarët e parë të UÇK-së

Ka ndërruar jetë komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sahit Jashari, nga Prekazi i Skenderajt, njëri ndër themeluesit dhe luftëtarët e parë të UÇK-së, si dhe bashkëluftëtar i Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Lajmi për vdekjen e tij është bërë i ditur nga familja Jashari, e cila e kujtoi me krenari për veprimtarinë, guximin dhe kontributin e tij në shërbim të atdheut.

Për ndarjen e tij nga jeta kanë reaguar edhe bashkëluftëtarë e personalitete politike. Kryetari i Komunës së Skenderajt dhe bashkëluftëtari i tij, Sami Lushtaku, e cilësoi Sahit Jasharin si një nga burrat më të mëdhenj të kësaj toke, luftëtar të orëve të para të UÇK-së dhe simbol të sakrificës për lirinë e Kosovës. Ndërkaq, kryetari i BDI-së në Maqedoninë e Veriut dhe bashkëluftëtari i tij, Ali Ahmeti, e përkujtoi si patriot, atdhetar dhe një nga luftëtarët e parë që qëndroi krah Adem dhe Hamzë Jasharit në rrugën e lirisë.

Komuna e Skenderajt ka njoftuar se ceremonia e varrimit do të organizohet nën përkujdesjen e kryetarit Sami Lushtaku. Homazhet do të mbahen më 12 qershor në Palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, ndërsa varrimi do të zhvillohet në ora 16:00 në varrezat e lagjes Jashari në Prekaz.

Sahit Jashari mbetet një nga figurat e rëndësishme të rezistencës shqiptare dhe të luftës çlirimtare të Kosovës, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar patriotike dhe kombëtare.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria projekton buxhetin 10.15 miliardë euro për vitin 2027

Shqipëria parashikon një buxhet prej rreth 10.15 miliardë eurosh për vitin 2027, ndërsa Qeveria e …