Ramush Haradinaj: Kurti dështim energjetik: 923 milionë euro për importe, pa asnjë termocentral të ri

Ramush Haradinaj, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së Kosovës për, siç ka thënë ai, mungesën e rezultateve konkrete në sektorin energjetik gjatë pesë-gjashtë viteve të fundit.

Përmes një reagimi publik, Haradinaj tha se qytetarët e Kosovës nuk jetojnë më me premtime dhe debate për të kaluarën, por me pasojat e vendimeve dhe mosveprimeve të qeverisë aktuale.

Sipas tij, pavarësisht premtimeve për transformim energjetik, pavarësi nga importi dhe investime strategjike, Kosova vazhdon të mos e mbulojë me prodhim vendor konsumin e energjisë elektrike dhe mbetet e varur nga importi.

Haradinaj u thirr në të dhënat e Energy Community, duke theksuar se në vitin 2024 Kosova ka prodhuar rreth 6,059 GWh energji elektrike, ndërsa konsumi ka arritur në rreth 6,611 GWh, duke rezultuar me një deficit prej mbi 550 GWh.

Ai po ashtu pretendoi se gjatë periudhës 2021–2026 janë shpenzuar mbi 923 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike, krahasuar me mbi 270 milionë euro në periudhën 2015–2020.

“Dhe tani qytetarët kanë të drejtë të pyesin: Ku është termocentrali i ri? Ku është centrali me gaz? Ku është projekti që do ta zëvendësojë TC Kosova A? Ku është projekti që do ta bëjë Kosovën më pak të varur nga importi?”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai kritikoi edhe mungesën e investimeve në rrjetin transmetues, duke thënë se gjatë mandatit të Qeverisë Kurti nuk është ndërtuar asnjë nënstacion i ri 400 kV apo 220 kV dhe nuk është realizuar asnjë projekt madhor që do të rriste sigurinë energjetike të vendit.

Në anën tjetër, Haradinaj vlerësoi si arritje të mandatit të tij krijimin e Bllokut Rregullues Kosovë–Shqipëri, marrëveshjen e kyçjes së KOSTT-it me ENTSO-E dhe njohjen ndërkombëtare të zonës rregulluese të Kosovës, duke i cilësuar këto si hapa që forcuan sovranitetin energjetik të vendit.

“Në fund, energjia nuk matet me propagandë. Energjia matet me megavatë të ndërtuar, me kilometra rrjet të ndërtuar, me nënstacione të reja dhe me sigurinë e furnizimit për qytetarët”, ka përfunduar Haradinaj.

Ai tha se historia do të gjykojë si arritjet e qeverive të mëparshme, ashtu edhe mungesën e investimeve strategjike gjatë qeverisjes aktuale.

Kontrolloni gjithashtu

Ardian Shtuni: Hezitimi ndaj projektit amerikan të gazit duket më shumë politik sesa ekonomik

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sigurisë, Ardian Shtuni, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me …