Në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim të Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), është zhvilluar trajnimi “Kërkim-Shpëtim Urban Bazik dhe i Avancuar”, me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të FSK-së dhe të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Ky trajnim i përbashkët është përqendruar në ngritjen e kapaciteteve profesionale për reagim ndaj katastrofave natyrore dhe incidenteve të shkaktuara nga njeriu, duke synuar përgatitjen sa më efikase të forcave në situata emergjente.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit kanë zhvilluar njohuritë dhe aftësitë e tyre në fushën e operacioneve të kërkim-shpëtimit në mjedise urbane, planifikimin operacional, përdorimin e pajisjeve të specializuara, zbatimin e procedurave të kërkim-shpëtimit, si dhe ofrimin e ndihmës së parë.
Forca e Sigurisë së Kosovës ka vlerësuar se ky aktivitet dëshmon vazhdimësinë e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke kontribuar në rritjen e gatishmërisë për përballimin e emergjencave dhe në forcimin e ndërveprimit mes dy forcave partnere.
Trajnime të tilla konsiderohen të rëndësishme për ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe ofrimin e një reagimi më të koordinuar në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve në të dy vendet.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
