Kasta e vjetër politike në Shqipëri është vërtetuar shumëfish se nuk po mund të dalë nga tranzicioni, tash e dyzet vjet!
U kuptua se kjo kastë nuk dinte ta udhëhiqte shtetin, ndërsa tani po vërtetohet se nuk di as të japë dorëheqje.
Si Sali Berisha, ashtu edhe Edi Rama, nuk deshën kurrë ta kuptonin se janë menaxherë në drejtimin e shtetit dhe në shërbim të popullit. Përkundrazi, u sollën si pronarë të Shqipërisë, ndërsa popullin e trajtuan si skllevër.
Vepruan sipas interesave të të huajve dhe shkatërruan çdo gjë shqiptare. Shkatërruan rafineritë, ekonominë, mbrojtjen dhe sigurinë; shitën armët, aeroplanët, nëndetëset dhe tanket për skrap. I morën kursimet e qytetarëve të grumbulluara me dekada përmes skemave piramidale, grabitën e shitën thesarin dhe rezervat e arit për pasurim personal.
I dhanë Greqisë 12 milje detare, ndërsa sot ajo kontrollon detin dhe hapësirën ajrore të Shqipërisë. Nuk e kam për qëllim, por edhe po të doja, zor se do të mund t’i numëroja të gjitha gabimet që kjo kastë politike i ka bërë gjatë këtyre dyzet viteve.
Revanshi i fundit i Ramës nuk njohu kufij. Ai luante me tokat dhe me atdheun e shqiptarëve.
Ky kryeministër mendoi se, pasi e donin të huajt, nuk kishte nevojë për popullin e vet.
Paaftësia politike dhe politikat e gabuara në të gjitha drejtimet e nxorën popullin në rrugë për të kërkuar ndryshimin.
Me të drejtë qytetarët duan të dalin nga ky tranzicion, një rrugë qorre që e mbajti gjallë kasta e vjetër politike.
Ju e kërkuat projektin e Shqipërisë së Re?
Shqipëria e Re do të jetë pa kastën e vjetër politike.
Kjo është e reja. Çfarë tjetër duhet?
Po të kishe ditur më shumë, do t’i kishe bërë publike vendimet e tua, e jo t’i mbaje të fshehta. Sot po dalin në dritë çështje si Zvërneci, Durrësi, Sazani e shumë të tjera.
Derisa Presidenti Trump hyn në marrëveshje me Iranin, kush je ti që nuk pranon dialog dhe marrëveshje me protestuesit dhe me popullin?
Të pashë dhe të dëgjova në një podcast duke folur. Mundoheshe të fshiheshe pas Presidentit Trump, duke i akuzuar protestuesit sikur qenkan kundër tij dhe sikur e urrejnë atë, madje protestojnë edhe kundër dhëndrit e vajzës së tij. Kjo nuk qëndron.
Kryeministër, nuk le askënd pa fajësuar: Evropën, emigracionin, shqiptarët e Kosovës dhe Iliridës.
Kuptoje se, kur ke dyqind mijë njerëz në rrugë për 22 ditë rresht dhe të gjithë këta i quan kundërshtarë, si nuk e sheh fundin tënd si politikan dhe si njeri?
Po e humb edhe Partinë Socialiste, ku ka njerëz të ndershëm dhe kombëtarë. Nuk e kuptoj si të durojnë, ndërsa ti bën akrobacione e teatro, fyen popullin dhe u vendos epitete banale.
Je i humbur, Edi. Asgjë personale nuk kam me ty.
Shumica e njerëzve që i kam miq të kanë përkrahur, madje edhe unë të kam përkrahur kur të kanë sulmuar të tjerët.
Por kur është në pyetje populli dhe atdheu, nuk ka kompromis për askënd.
Je vonuar shumë, Edi. Nuk ka më kthim prapa. Ke pasur mundësi të mbetesh në histori me katër apo pesë mandate, me Shqipërinë në Evropë dhe me shumë arritje të tjera.
Pse i hype dhisë mbrapsht dhe po e thyen vetë qafën?
Rroftë Shqipëria e Re!
Rroftë Bashkimi Kombëtar!
21 qershor 2026
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
