Ditëve të fundit, në disa kanale mediale në rrjete sociale, si dhe nga individë që përfaqësojnë ngjyrime politike të caktuara, janë lansuar dezinformata duke krijuar keqkuptim të qëllimshëm me synim zhvillimin e sulmit propagandistik ndaj Komunës së Ferizajt, referuar Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Ferizajt, veçanërisht në pjesën e lidhjes dhe menaxhimit të disa kontratave publike, ku plotësisht në interpretime të paqëndrueshme, joprofesionale e tendencioze, konkludohen tituj bombastik me qëllim që ta paraqesin një pasqyrë joreale për Komunën e Ferizajt.
Referuar lidhjes dhe menaxhimit të kontratave publike përkatëse – objekt keqkuptimi i qëllimshëm e sulmi nga këto kanale të rrjeteve sociale, bazuar në procedurat e prokurimit publik dhe sqarimit nga Zyra e Prokurimit sqarojmë opinionin publike se:
Bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës Nr. 04/L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, Rregulloren A002 dhe Udhëzuesin 002/2024 për Prokurim Publik, planifikimi i prokurimit hartohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, respektivisht jo më vonë se 15 ditë pas miratimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nevojat dhe mjetet financiare që janë të njohura për vitin fiskal.
Njoftimi Paraprak për kontrata për punë përgatitet menjëherë pas vendimit që miraton planifikimin e kontratës përkatëse të punëve. Njoftimi paraprak mundëson AK të reduktoj afatet minimale kohore të tenderimit, në procedurë të hapur ose të kufizuar për dhënien e kontratave me vlerë të madhe, në jo më pak se 24 ditë (në vend të afatit minimal kohor të zakonshëm prej 40 ditëve).
Publikimi i Njoftimit Paraprak nuk e obligon AK të bëjë blerjen ose inicimin e aktivitetit nëse rrethanat ndryshojnë, ku në rastin konkret, gjashtë projektet në fjalë nuk kanë qenë të njohura dhe as të financuara në kohën e hartimit të planit të prokurimit, pasi marrëveshjet dhe memorandumet e mirëkuptimit me ministritë përkatëse janë arritur gjatë vitit buxhetor, pas përfundimit të planifikimit te prokurimit. Për këtë arsye, këto projekte nuk kanë mundur të përfshihen në planin e prokurimit.
Në rastin konkret, para arritjes së marrëveshjeve me ministritë nuk ka ekzistuar siguri mbi financimin dhe realizimin e projekteve, prandaj nuk kanë ekzistuar kushtet faktike për publikimin e njoftimit paraprak.
Për të gjitha këto projekte janë zhvilluar procedura të hapura të prokurimit në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik dhe rregullat e KRPP-së. Njoftimet për kontratë janë publikuar në platformën e e-Prokurimit dhe kanë qëndruar të hapura për afatin ligjor prej 40 ditësh, duke siguruar transparencë të plotë, konkurrencë efektive dhe trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomik.
Prandaj, mos publikimi i njoftimit paraprak nuk ka ardhur si rezultat i mosrespektimit të dispozitave ligjore, por si pasojë e faktit se projektet dhe financimi përkatës janë siguruar gjatë vitit fiskal. Në çdo rast, procedurat e prokurimit janë zhvilluar në përputhje të plotë me kërkesat e Ligjit për Prokurimin Publik, pa cenuar konkurrencën, transparencën apo trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomik dhe të gjitha këto procedura të prokurimit gjenden në platformën elektronike të prokurimit (E-Prokurim).