BARAZIMI I TAHIR SINANIT ME DRITAN GOXHAJN! Qëllim me i vra dy zogj me nji gurë. Qëllim me mbrojt veten e me i njollos të tjerët!
Kujt po i duhet kjo qasje që sjell përçarje, pikërisht në kohët sensitive kombëtare dhe në rrethanat e ndërlikuara gjeostrategjike ndërkombëtare?
Nuk është hera e parë që goditet UÇK-ja, vlerë e Kombit dhe e lirisë, e shtetësisë së Kosovës!
Deri tani goditjet ishin nga kundërshtarët dhe armiqtë e kombit tonë!
Kjo goditje më e rënda u bë nga ata që nuk është pritur kurrë, krejtësisht mbrapa shpine, nga krahu i afërt me luftën!
Njerëzit nga Shqipëria që dhanë maksimumin për çlirimin e Kosovës ishin: Presidenti Rexhep Mejdani, Fatos Nano, Pandeli Majko, Luan Hajdaraga, Gjeneral Aleks Andoni, Servet Pllumbi, Gramoz Ruçi, Ilir Meta, Luan Rama, Shaban Sinani, Fatos Klosi, Artan Meçe, Remzi Dema, Xhemajli Shehu, Petro Koçi, Sabit Broka, dhe, pa e harruar fillimin e hershëm nga kryetari Ramiz Alia dhe Gjeneral Veli Llaka, me shumë të tjerë.
Ishin ata që ndihmuan UÇK-në dhe luftën për çlirim! Lidhën aleancat anglo-amerikane me shtetin shqiptar, me UÇK-në dhe luftën çlirimtare!
Ku ishe ti, Taulant Balla, në atë kohë të burrërisë?!
Unë dua me e ruajt respektin për fisin Balla, ama ti shkele rëndë vlerat e luftës, gjakun e dëshmorëve, vetëm për interesa politike personale apo edhe grupore!
Ndoshta pa qëllim apo pa menduar fare, kjo mund të ketë pak mirëkuptim nëse kërkon falje publike, dhe jo veç familjes së Tahir Sinanit, por të gjitha familjeve të dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë!
Ndërsa për Dritan Goxhajn ke hesape politike, ke mundësi me ia numëruar 100 dobësi njerëzore dhe të dëmshme, po pse e lidh me luftën çlirimtare???
A mos qenka lufta çlirimtare i vetmi barometër apo kriter për të konkurruar në politikë?!
Të qenurit apo jo luftëtarë janë raste të veçanta, si në Angli, ku familja mbretërore dërgon pasardhësit në luftë për interesat e Anglisë, kjo si dëshmi e sakrificës për atdhe dhe kriter për ta merituar kurorën.
Edhe SHBA-të e kanë parasysh këtë kriter për zgjedhjen e Presidentit.
Po ti, z. Balla, për çfarë e more Dritanin, apo vetëm për ta njollos? Por kjo njollosje spërkati shumë vlera, këtu humbe shumë, sa që vështirë të riparohesh!
Dritanin lejleku nuk e solli në Krumë, as pranë Komandant Plakut, të mobilizojë luftëtarë për operacionin Shigjeta! Rastësisht nuk ishte i biri i Dilaver Goxhajt, Dilaveri që nga prilli ishte në luftën çlirimtare!
Për Dritanin mund të shtroje pyetje e pikëpyetje, pse u kthye e nuk hyri në luftë, por prapë s’mundesh ta bësh me faj ti, ti nuk ishe fare në luftë!
Mundesh ta pyesësh cili ishte kontributi i tij te amerikanët në NATO?
Si dhe pse pastaj kërkohej dhe u ndalua po nga ata, me Hydajet Beqirin dhe Gafurr Adilin!
Mund ta pyesje çfarë relata kishte me italianët, si dhe kjo që shihet publike tani, çka e shtyn të dalë kundër Amerikës dhe Izraelit për luftën e tyre në Gaza dhe Iran?
Edhe nëse Dritani do të thotë se parimisht mbron luftërat e drejta mbrojtëse dhe gjykon luftërat sulmuese, duhet t’i thuhet: pse, Dritan, i sulmon aleatët e Shqipërisë e të shqiptarëve, si dhe i dëmton interesat strategjike të Shqipërisë?
Pra, ke pasur boll çka t’i thuash e t’i gjesh gabime Dritanit!
Si duket, protestuesve dhe këshillit organizativ të protestave ju desh një disident kundër pushtetit, një guximtar, dhe e gjetën; e nxorën Dritanin t’i lexojë kërkesat, çka që unë mendoj se nuk ishte ky veprim i duhur, nuk ishte njeriu i duhur që të përfaqësojë e ta simbolizojë protestën.
Z. Taulant Balla, ta hezitosh e ta përziesh me këndo tjetër vlerën e Heroit të tri Luftërave, TAHIR MALË SINANIN, është gjë e pakrahasueshme dhe shkelje e dinjitetit patriotik kombëtar të Heroit të pavdekshëm, Tahir Sinani!
Tahiri, i lindur në fshatin Gri të Tropojës, pasi e mbaron Shkollën e Mesme të Bujqësisë në Tropojë, shkon në Zall-Herr, në Akademinë e trajnimeve të njësive speciale të përgatitjeve për marinsat shqiptarë!
Këto njësi ishin në atë kohë njësi speciale të ushtrisë shqiptare!
Këtu Tahiri e merr titullin instruktor i trajnimeve!
Tahiri ishte i kënaqur dhe i sigurt me familjen e tij, me gruan, vajzat dhe djalin në vendlindjen e tij gjatë kohës kur luftohej në Kosovë, por gjeni luftarak, gjaku shqiptar, nuk e la të qetë!
Siç thoshte ai, nuk durohej që të vriteshin vëllezërit në Kosovë e unë të bëja sehir, siç bëje ti, z. Balla!
Por Tahiri dy e tri herë e kontaktoi qendrën e furnizimit dhe të trajnimeve në Krumë e në veri të Shqipërisë, si dhe kontaktoi Komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, dhe me urdhrin e tij hyn në Kosovë!
Tahiri hyri me një grup të vogël luftëtarësh, që ju printe luftëtari Ruzhdi Kryeziu nga Pagarusha!
Unë pata rastin ta takoja atë në natën kur ka mbërritur në odën e Ruzhdi Kryeziut në Pagarushë!
Aty u njohëm më datën 14 nëntor 1998.
Duke dashur ta dija karakterin e këtij djaloshi 10 vjet më të ri se unë, e pyeta nga cili vend je, si dhe sa kohë do të jesh në Kosovë?
Jam, tha, nga fshati Gri i Tropojës dhe do të jem me ju deri në çlirim apo vdekje!
Atëherë u ngrita dhe u morëm ngryk për së dyti, i urova mirëseardhje dhe shumë fat e jetë, edhe ai më uroi për plagët, duke m’u drejtuar: bacë, këta po të thonë komandant, unë të thashë bac, derisa nuk e di pozicionin dhe nivelin tënd?
Atë natë nuk fjetëm fare. Nga 20 veta që ishim në atë odë, na rastisi të ishim afër njëri-tjetrit në dyshekët e shtruar për të fjetur!
Të nesërmen udhëtuam për në Kleçkë, në SH.P. të UÇK-së. Mua më caktuan në administratë-J1, ndërsa Tahirin komandant të njësisë speciale Arbri!
Deri më 17 mars 1999, kur ai nga komandant i Brigadës 122 u ngrit në komandant të ZOP-it, dhe unë zëvendëskomandant në ZOP!
Krejt kohën e luftës kemi qenë të pandarë, vetëm atëherë kur është dashur në beteja të jemi ndaras, me qëllim të komandimit të njësive dhe drejtimit të tyre!
Tahiri mori pjesë në pritën te Pishat, në dalje të Suharekës në drejtim të Prishtinës, ku mbetën katër armiq të vrarë, njëri nga ata oficer. Pati edhe të plagosur nga armiqtë dhe ju kall mauna armike dhe një makinë tip (Pizgaver), që përdorej për transport të oficerëve!
Pritën e organizuan Zenel Zekolli dhe Qamil Kroni!
Këtë përballje me armikun e kërkoi Tahiri, për ta provuar veten përballë shkaut, dhe doli shumë i suksesshëm e faqebardhë, pa asnjë humbje nga pala jonë!
Tahiri projektoi dhe organizoi rezistencën e betejës tetëditëshe në Qafë të Pagarushës, në Shkozë, Semetisht, Peqan e në Gollushë!
Në këtë betejë pesë ditë ishim bashkë.
Po ashtu, Tahiri komandoi, organizoi dhe luftoi në mbrojtje të Radios Kosova e Lirë dhe të Kosova Press-it, e mbrojtën edhe Shtabin e Përgjithshëm dhe selinë e tij!
Luftën e bëri me disa njësi, kryesisht Brigadën 121, e komanduar nga komandanti i Brigadës, Haxhi Shala!
Tahiri mori pjesë edhe në aksione, operacione e prita të tjera. Kudo që arriti, aty ku ishte Tahir Sinani, aty armiqtë i humbnin betejat përballë UÇK-së. Kudo që ishte trimi luftëtar Tahir Sinani, Tahiri ishte i shkathët dhe i lindur luftarak.
Atëherë qe betuar se nuk do të kthehet në vendlindje pa u çliruar trojet e pushtuara, Lugina e Preshevës dhe Ilirida, për të cilat luftoi, komandoi e drejtoi luftëtarë!
Heroi bie në bjeshkët e Radikës, në luftën e Iliridës, gjatë përgatitjes të një aksioni!
I pavdekshmi e i paepuri Hero i tri luftërave, Heroi Kombëtar Tahir Mal Sinani!
Me pak rreshta desha ta përshkruaj dhe t’i tregoj gjithkujt se nuk mundet askush të matet me Tahir Sinanin!
Z. Balla, kërko falje, se ia ke borxh UÇK-së dhe luftëtarëve!
Ju, familja e Tahir Sinanit, ndihuni krenarë dhe të lumtur, ju që jeni pasardhësit e Heroit Epik!
26 qershor 2026
Sadik Halitjaha
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
