Përfaqësues të sektorit të energjisë dhe ekonomisë kanë vlerësuar se Kosova ka humbur mundësi të rëndësishme zhvillimore me refuzimin e projektit për gazin e lëngshëm natyror (LNG), duke theksuar se ky burim energjie mund të shërbejë si një urë tranzitore drejt industrializimit dhe forcimit të sigurisë energjetike të vendit. Këto qëndrime u shprehën në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ku u diskutua për rolin e gazit amerikan në të ardhmen energjetike të Kosovës. Drejtori ekzekutiv i Odës, Arian Zeka, rikujtoi se projekti për zhvillimin e infrastrukturës së gazit të lëngshëm ishte refuzuar nga Qeveria e Kosovës në vitin 2021 dhe tha se edhe sot qëndrimi institucional mbetet negativ, megjithëse me argumente të ndryshme. “Në shtatorin e vitit 2021, mediat raportonin për një përgjigje përfundimtare që qeveria i kishte dërguar qeverisë së SHBA-ve, që nuk kishte interes për të vazhduar me programin për zhvillimin e infrastrukturës së gazit të lëngshëm. Pesë vite më vonë, sërish përgjigjja është jo. Arsyetimet kësaj radhe janë të tjera. Qeveria ka zgjedhur alternativa që konsiderohen më pak të kushtueshme dhe më fizibile për qytetarët”, ka deklaruar Zeka. Pjesëmarrësit në tryezë vlerësuan se diversifikimi i burimeve energjetike mbetet një element kyç për sigurinë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, ndërsa debati për gazin e lëngshëm natyror vazhdon të mbetet pjesë e diskutimeve strategjike për të ardhmen energjetike të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
