Ankaraja do të jetë më 7 dhe 8 korrik nikoqire e Samitit të NATO-s 2026, ku liderët e 32 vendeve anëtare do të diskutojnë për sfidat kryesore të sigurisë euroatlantike. Në qendër të diskutimeve do të jenë rritja e investimeve në mbrojtje, forcimi i industrisë ushtarake, ndarja e barrës mes aleatëve dhe mbështetja afatgjatë për Ukrainën. Një nga temat kryesore pritet të jetë zotimi i vendeve anëtare për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Po ashtu, më 7 korrik do të mbahet edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, ku do të marrin pjesë përfaqësues të NATO-s, qeverive aleate dhe kompanive të industrisë së mbrojtjes. Ndërkohë, NATO ka konfirmuar se Kosova nuk është pjesë e listës së pjesëmarrësve në samitin e këtij viti. Sipas Aleancës, programi është i përqendruar te 32 shtetet anëtare dhe një numër i kufizuar partnerësh, ndërsa Ballkani Perëndimor mbetet rajon me rëndësi strategjike. NATO ka ritheksuar se angazhimi për stabilitetin e rajonit mbetet i pandryshuar, duke nënvizuar se misioni i KFOR-it vazhdon të luajë rol kyç në garantimin e sigurisë në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
