Kryetari Haliti priti përfaqësuesen e Shoqatës “PePeKo”

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Pira, kanë pritur sot koordinatoren e projektit nga Shoqata e Përpunuesve të Frutave dhe Perimeve të Kosovës “PePeKo”, Nita Ferizi Sadiku, me të cilën kanë diskutuar për organizimin e aktivitetit promovues “Tregu në Rrota”.

Gjatë takimit u dakordua që ky aktivitet të mbahet më 1 gusht 2026, duke filluar nga ora 10:00, në sheshin e qytetit të Vitisë.

Ky aktivitet synon promovimin e prodhimit vendor, ku prodhuesit e Komunës së Vitisë do të kenë mundësinë të ekspozojnë dhe promovojnë produktet e tyre para qytetarëve. Përmes këtij organizimi synohet mbështetja e bujqve dhe përpunuesve vendorë, rritja e promovimit të produkteve lokale dhe krijimi i lidhjeve të drejtpërdrejta ndërmjet prodhuesve dhe konsumatorëve.

Kryetari Haliti shprehu gatishmërinë e Komunës së Vitisë për të mbështetur iniciativa që fuqizojnë sektorin e bujqësisë dhe zhvillimin ekonomik lokal, ndërsa u theksua rëndësia e bashkëpunimit për realizimin sa më të suksesshëm të këtij aktiviteti.

“Tregu në Rrota” do të jetë një mundësi e mirë për promovimin e produkteve autentike të Vitisë dhe për prezantimin e potencialit të prodhuesve vendorë para qytetarëve dhe vizitorëve.

Kontrolloni gjithashtu

Burrniku i Ferizajt, destinacioni që po shndërrohet në perlën e turizmit malor

Me peizazhe mbresëlënëse, ajër të pastër dhe pamje panoramike që shpalosin bukurinë e Ferizajt nga …