Në një analizë mbi zhvillimet e sigurisë në Ballkan, njohësi i çështjeve të sigurisë, Ethem Çeku, vlerëson se Shqipëria duhet të vazhdojë forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake për t’iu përgjigjur sfidave të reja gjeopolitike dhe për të rritur rolin e saj si faktor stabiliteti në rajon. Sipas tij, ndryshimet në arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë, lufta në Ukrainë dhe rritja e rivalitetit mes fuqive të mëdha kanë rikthyer mbrojtjen kombëtare në qendër të politikave shtetërore, duke bërë që vendet e Ballkanit të investojnë gjithnjë e më shumë në modernizimin e forcave të armatosura. Çeku thekson se, si anëtare e NATO-s, Shqipëria duhet ta konsiderojë mbrojtjen jo vetëm si detyrim ndaj Aleancës, por si një investim afatgjatë për garantimin e sovranitetit, sigurisë dhe zhvillimit të vendit. Investimet e ndërmarra nga Qeveria shqiptare në modernizimin e Forcave të Armatosura, zhvillimin e infrastrukturës ushtarake, kapaciteteve ajrore dhe projekteve strategjike në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e NATO-s, kanë forcuar pozitën e Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë së Adriatikut dhe Ballkanit Perëndimor. Çeku nënvizon gjithashtu rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes. Sipas tij, koordinimi i politikave të sigurisë, stërvitjet e përbashkëta ushtarake, bashkëpunimi në mbrojtjen kibernetike, inteligjencë, logjistikë dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes do të kontribuonin në forcimin e sigurisë së të dy vendeve dhe të rajonit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
