Ansambli i këngëve dhe valleve “Kemajl Azizi” nga Vitia, po përfaqëson me dinjitet Republikën e Kosovës në edicionin e 40-të të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit, i cili po mbahet në qytetin e Lublinit, në Poloni.
Me interpretimet autentike të këngëve dhe valleve tradicionale shqiptare, kostumet karakteristike kombëtare dhe një program të pasur artistik, ansambli ka marrë vlerësime të larta nga publiku polak dhe pjesëmarrësit nga vende të ndryshme të botës. Përmes kësaj pjesëmarrjeje po promovohet kultura, tradita dhe trashëgimia e pasur folklorike e Kosovës në një nga festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare të këtij zhanri.
Pjesëmarrja në këtë festival përbën një mundësi të rëndësishme për prezantimin e vlerave kulturore të vendit tonë, duke ndarë skenën me ansamble dhe artistë të njohur nga shumë shtete të botës.
Institucionet komunale të Vitisë shprehin krenarinë për përfaqësimin që po i bëhet vendit nga Ansambli i këngëve dhe valleve “Kemajl Azizi” dhe uron artistëve suksese të mëtejshme në paraqitjet e tyre.
Njëherësh, udhëheqësit e këtij Ansambli kanë falënderuar për mbështetje komunën e Vitisë si dhe Ministrinë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mundësimin e pjesëmarrjes së ansamblit në këtë festival prestigjioz ndërkombëtar.