Serwer

Serwer: Serbia po e mban peng dialogun, BE-ja dhe SHBA-ja duhet të jenë më të vendosura

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet në një ngërç të thellë, ndërsa marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër ende nuk kanë gjetur zbatim.

Megjithëse Bashkimi Evropian ka paralajmëruar përpjekje për ta riaktivizuar procesin gjatë këtij viti, deri më tani nuk është shënuar ndonjë zhvillim konkret.

Ish-diplomati amerikan, Daniel Serwer, vlerëson se pengesa kryesore për mungesën e përparimit është Serbia, duke theksuar se Beogradi nuk ka treguar vullnet të sinqertë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Ai ka shtuar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka treguar mungesë interesi për avancimin e dialogut, duke theksuar se procesi kërkon angazhim të barabartë nga të dyja palët.

Sipas Serwerit, Kosova duhet të vazhdojë të luajë një rol konstruktiv dhe të bashkëpunojë ngushtë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për ta mbajtur të hapur procesin e dialogut.

Ai vlerëson se Bashkimi Evropian tashmë ka reflektuar mbi qasjen ndaj Kosovës, duke kuptuar se vendosja e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës ishte një vendim i gabuar. Sipas tij, institucionet evropiane po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se Serbia nuk ka qenë konstruktive në këtë proces.

Serwer kërkon gjithashtu një qasje më të vendosur nga Shtetet e Bashkuara ndaj Beogradit, duke argumentuar se Serbia është trajtuar me tepër butësi, si në raport me dialogun, ashtu edhe me çështjet që lidhen me korrupsionin dhe ndikimin rus.

Në të njëjtën kohë, ai vlerëson se Kosova e ka forcuar pozitën e saj ndërkombëtare përmes angazhimit në nisma për paqe dhe bashkëpunimit me aleatët perëndimorë, përfshirë pjesëmarrjen në mekanizma ndërkombëtarë dhe kontributin në misione humanitare.

Sipas Serwerit, vetëm një qasje më e vendosur e partnerëve ndërkombëtarë ndaj Serbisë dhe një angazhim i sinqertë i Beogradit mund të krijojnë kushtet për zhbllokimin e dialogut dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Kontrolloni gjithashtu

Mbrojtja e ish kryetarit Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Gjykata Speciale, lirimin me kusht

Mbrojtja e ish kryetarit Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Gjykata Speciale, lirimin me kusht të …