Hysni Gucati kërkon reagim urgjent pas publikimit të listave të luftëtarëve të UÇK-së nga Serbia

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të reagojë menjëherë pas publikimit nga një lëvizje e veteranëve serbë të emrave të pjesëtarëve të Brigadave 111 dhe 121 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas Gucatit, institucionet e Kosovës duhet ta ngrenë këtë çështje në arenën ndërkombëtare dhe të kërkojnë nga shtetet evropiane që të mos bien pre e, siç e quajti ai, përpjekjeve të Serbisë për kriminalizimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Ai tha se organizata serbe u ka bërë thirrje autoriteteve të Serbisë dhe Prokurorisë për Krime Lufte që t’i verifikojnë emrat e publikuar dhe të përcaktojnë nëse ndonjëri prej tyre është i përfshirë në krime lufte. Po ashtu, sipas tij, ajo ka kërkuar nga Interpoli lëshimin e urdhërarresteve ndërkombëtare ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe listat ua ka përcjellë edhe policive të disa vendeve të Bashkimit Evropian. Në një prononcim për KosovaPress, Gucati u bëri thirrje veteranëve që të shmangin udhëtimin nëpër territorin e Serbisë, duke paralajmëruar se ekziston rreziku i ndalimeve dhe procedurave ndaj tyre. Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë hapa diplomatikë urgjentë, përfshirë dërgimin e një letre vendeve të Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të Interpolit, me qëllim që të parandalohet, sipas tij, zbatimi i kërkesave të Serbisë ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

IKD: Kriza politike ka lënë dhjetëra institucione me mandate të skaduara dhe pozita të paplotësuara

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ngritur alarmin se dhjetëra institucione dhe agjenci të pavarura …