Özkan Ulutaş: Dezinformatat dhe retorika nxitëse po rrezikojnë sigurinë në Kosovë

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori turk Özkan Ulutaş, ka paralajmëruar se retorika nxitëse dhe përhapja e vazhdueshme e dezinformatave përbëjnë një kërcënim serioz për mjedisin e sigurisë në Kosovë, duke theksuar se misioni i NATO-s mbetet në gatishmëri të plotë në të gjithë territorin e vendit. Ulutaş tha se këto zhvillime mund të ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin e situatës së sigurisë, ndaj KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër çdo zhvillim. “Retorika nxitëse dhe përdorimi i vazhdueshëm i dezinformatave janë ndër shqetësimet tona, duke pasur parasysh ndikimin që ato mund të kenë në mjedisin e sigurisë. Për këtë arsye, KFOR-i mbetet vigjilent dhe i pozicionuar mirë në të gjithë Kosovën”, deklaroi ai. Komandanti i KFOR-it theksoi se paqja dhe siguria afatgjatë nuk mund të garantohen vetëm përmes pranisë ushtarake, por kërkojnë angazhim politik dhe dialog të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e NATO-s për avancimin e dialogut, me synimin që të arrihen zgjidhje të qëndrueshme që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. / Kpress/

Kontrolloni gjithashtu

Kolona kilometrike në kufirin Kroaci–Mali i Zi, Shqipëria kërkon përshpejtimin e kalimit të mërgimtarëve

Fluksi i madh i automjeteve në pikat kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi ka …