Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Dr. Elmi Berisha, i ka dërguar një letër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, duke kërkuar angazhim të drejtpërdrejtë diplomatik për t’i dhënë fund, sipas tij, procesit politik që po zhvillohet ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë. Në letrën drejtuar Trumpit, Berisha kritikon ashpër Gjykatën Speciale, duke vlerësuar se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së rrezikon të kriminalizojë luftën çlirimtare të Kosovës dhe të rishkruajë historinë në dëm të viktimave të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Ai thekson se lufta në Kosovë ishte rezultat i fushatës së spastrimit etnik të regjimit serb, ndërsa UÇK-ja u formua për të mbrojtur popullsinë shqiptare nga shfarosja. Në këtë kontekst, Berisha përmend mbi 15 mijë civilë shqiptarë të vrarë, rreth 25 mijë viktima të dhunës seksuale dhe më shumë se një milion shqiptarë të dëbuar gjatë luftës. Vazhdimi i procesit në Hagë cenon drejtësinë historike dhe dëmton marrëdhëniet strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat ai i cilëson si aleatin më të rëndësishëm të shtetit të Kosovës. Berisha i kërkon Presidentit Trump të përdorë ndikimin diplomatik të SHBA-së për rishikimin e mandatit të Gjykatës Speciale, duke argumentuar se ajo ka tejkaluar kompetencat e saj, si dhe të mbështesë lirimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
