Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka reaguar lidhur me ngërçin politik dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të marrë përgjegjësinë për funksionalizimin e institucioneve. Gashi ka thënë se Vetëvendosje pretendon se i ka 62 vota për konstituimin e Kuvendit dhe po aq për formimin e Qeverisë. Sipas tij, nëse këto vota ekzistojnë, atëherë nuk ka arsye që procesi të vazhdojë të bllokohet. “Albin Kurti thotë se i ka 62 vota për konstituimin e Kuvendit. Po ashtu thotë se i ka 62 vota edhe për formimin e Qeverisë. Atëherë pyetja është e pashmangshme: nëse i ke votat, pse nuk e konstituon Kuvendin?”, ka shkruar Gashi. Ai ka deklaruar se, në rast se VV-ja nuk i ka votat e nevojshme, LDK-ja është e gatshme t’i japë votat e saj për konstituimin e Kuvendit. “Po nuk i ke, ne t’i japim votat tona. Kryetarin e Kuvendit propozoje kë të duash”, ka theksuar Gashi. Deputeti i LDK-së ka akuzuar VV-në se po ndjek një formulë politike të cilën e përshkruan si “blloko, fito kohë dhe shty institucionet”, duke ngritur dyshime se zvarritja mund të jetë pjesë e një strategjie për të krijuar mundësi për zgjedhje të reja. “Po kërkohet drejtësi kushtetuese apo po kërkohet kohë? Sepse një rast i ri nuk e funksionalizon Kuvendin. E shtyn atë. Dhe në politikë, koha nuk është neutrale”, ka shkruar ai. Gashi ka ngritur pyetjen nëse qëllimi është funksionalizimi i institucioneve apo krijimi i kushteve për zgjedhje të reja dhe marrjen e një mandati më të madh politik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
