Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, duke shprehur shqetësim për krizën politike dhe bllokadën institucionale në vend. Gjini ka deklaruar se AAK-ja, që nga përfundimi i zgjedhjeve, ka ndjekur një qasje konstruktive dhe ka ofruar një propozim konkret për tejkalimin e ngërçit politik. Sipas tij, kjo ofertë është injoruar nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet. Kreu i AAK-së ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet situata institucionale, duke paralajmëruar se vendi rrezikon të përballet me një bllokadë të plotë si pasojë e, siç është shprehur ai, “shkeljes dhe djegies së afateve për konstituimin e Kuvendit”. Sipas Gjinit, kriza politike nuk po mbetet vetëm në aspektin institucional, por po prodhon pasoja edhe në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. “Kosova është më e madhe se çdo krizë politike e shkaktuar artificialisht si kjo që po shohim sot. Si Aleancë, do të vazhdojmë të angazhohemi në mbrojtje të projektit tonë shtetëror dhe do të përdorim çdo rrugë politike për të rikthyer normalitetin dhe zhvillimin në vend”, ka shkruar Gjini.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
