Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar ashpër situatën politike në vend dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës. Musliu ka deklaruar se institucionet e vendit janë futur në një situatë të rëndë, ndërsa, sipas saj, sistemi politik në Kosovë është “për tokë”. Musliu iu referua edhe deklaratave të mëhershme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kishte cilësuar si “super-kriminelë” ata që shkelin Kushtetutën. Duke u bazuar në këtë deklaratë, deputetja e PDK-së tha se përgjegjës për pengimin e funksionalizimit të Kuvendit janë, sipas saj, Albin Kurti dhe Avni Dehari. “Ju e dini shumë mirë sa e sa herë neve na është thënë nga Albin Kurti se ai që shkel ligjin është kriminel, e ai që e shkel Kushtetutën është super-kriminel. Dhe nëse ti më pyet mua direkt se kush po na e ndalon të shkojmë në Kuvend ose kush e ka uzurpuar Kuvendin, unë e them me bindje të plotë dhe me argumente të forta se Kuvendin po na e ndalojnë dy super-kriminela, e në këtë rast janë Albin Kurti edhe Avni Dehari”, ka deklaruar Musliu.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
