Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka shprehur shqetësim të thellë për situatën aktuale politike dhe institucionale në Kosovë, duke kërkuar që Kuvendi të rifillojë punimet dhe të përfundojë procesin e konstituimit. Tahiri deklaroi nga Kuvendi se deputetët e PDK-së, së bashku me deputetë të Aleancës, kanë kërkuar zyrtarisht nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, vazhdimin e seancës konstituive. Sipas tij, kërkesa është bërë me qëllim të respektimit të Kushtetutës dhe funksionalizimit të institucionit më të lartë ligjvënës në vend. “Mandatin na e ka dhënë populli dhe jo Kurti. Për të mbrojtur kushtetutshmërinë, deputetët e PDK-së i janë drejtuar me shkresë zyrtare kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që të vazhdohet seanca dhe të funksionalizohet Kuvendi”, deklaroi Tahiri. Ai kritikoi mosvazhdimin e seancës, duke e cilësuar situatën e krijuar si jashtëzakonisht shqetësuese për funksionimin institucional të vendit. Tahiri paralajmëroi gjithashtu se mosrespektimi i ligjit dhe i Kushtetutës nga institucionet mund të krijojë një precedent të rrezikshëm edhe për qytetarët dhe bizneset. Në zhvillimet e sotme në Kuvend pati edhe përplasje verbale ndërmjet deputeteve të PDK-së, Vlora Çitaku dhe Sala Jashari, dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Kuvendi i Kosovës vazhdon të përballet me bllokadë politike lidhur me përfundimin e procesit të konstituimit dhe funksionalizimin e plotë të institucioneve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
