Deputetja e PDK-së, Sala Jashari, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mosfunksionalizimin e institucioneve, duke thënë se situata aktuale politike po ua mohon të rinjve mundësinë për të diskutuar për të ardhmen e vendit.
Duke folur nga Kuvendi, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Jashari tha se kishte dashur që para të rinjve që kishin vizituar institucionin të fliste për perspektivën, arritjet dhe mundësitë që Kosova u ofron gjeneratave të reja.
Megjithatë, ajo tha se në vend të kësaj është e detyruar të flasë për mbrojtjen e Kushtetutës dhe funksionimin e demokracisë.
“Do të doja që me të rinjtë e të rejat që kanë ardhur ta vizitojnë Kuvendin, të flisnim për ide, perspektivë dhe të ardhmen e vendit. Por, fatkeqësisht, jam e obliguar të flas për ruajtjen e Kushtetutës dhe demokracisë”, deklaroi Jashari.
Ajo kritikoi edhe qëndrimin e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, gjatë përplasjes së mëhershme në Kuvend, duke iu referuar deklaratës së saj se “ne e kemi fuqinë”.
Sipas Jasharit, fitorja në zgjedhje duhet të shoqërohet me përgjegjësi dhe punë institucionale.
“Ju keni fituar, por bashkë me fitimin e zgjedhjeve duhet të ketë përgjegjësi dhe punë. Patriotizmi më i madh sot është ta duash vendin dhe të punosh për të”, tha ajo.
Deputetja e PDK-së theksoi se partia e saj vazhdon të jetë e pranishme në Kuvend dhe e gatshme për vazhdimin e seancës, ndërsa kritikoi mungesën e partisë së parë fituese.
Jashari u ndal edhe te problemet me të cilat përballen të rinjtë në Kosovë, duke ngritur çështjen e punësimit pas përfundimit të studimeve.
Ajo i ftoi të rinjtë të mos ndikohen nga ajo që e cilësoi si “propagandë të vazhdueshme në rrjete sociale”, por të kërkojnë përgjigje konkrete për atë se çfarë ka ndryshuar në jetën e tyre gjatë viteve të fundit.
“Çfarë ka ndryshuar në jetën e tyre brenda gjashtë viteve? Pse të rinjtë, kur e përfundojnë fakultetin, nuk gjejnë vend pune?”, u shpreh Jashari.
Në përfundim, ajo tha se deputetët duhet të vazhdojnë komunikimin me të rinjtë dhe t’u japin përgjigje për sfidat që lidhen me punësimin, perspektivën dhe të ardhmen e tyre në Kosovë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
