Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar për cenim të rendit kushtetues për shkak të mosvazhdimit të punimeve të Kuvendit, duke thënë se deputetët e AAK-së janë paraqitur në Kuvend për të ushtruar mandatin e tyre.
Tahiri tha se deputetët e AAK-së kanë marrë pjesë në Kuvend me ftesë të Grupit Parlamentar të PDK-së, me qëllim të kërkimit të vazhdimit të seancës konstituive.
Ai e cilësoi bllokimin e Kuvendit si cenim të sovranitetit dhe të së drejtës së qytetarëve për t’u përfaqësuar përmes institucioneve të zgjedhura.
“Sovraniteti i takon popullit dhe institucioneve të zgjedhura. Ne jemi të zgjedhurit e qytetarëve. Bllokimi i Kuvendit të Kosovës është cenim i sovranitetit, rendit kushtetues dhe demokracisë”, deklaroi Tahiri.
Sipas tij, institucionet duhet të funksionojnë në përputhje me Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Tahiri pretendoi se janë shkelur disa nga dispozitat që përcaktojnë mënyrën e funksionimit të Kuvendit, duke përmendur nenin 66 të Kushtetutës, një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, nenin 140 dhe dispozitat e Rregullores së Punës për mbajtjen e seancave.
Ai paralajmëroi se, sipas tij, çdo arsyetim për mosvazhdimin e procesit nuk mund të përdoret për të penguar ushtrimin e mandatit të deputetëve.
“Çfarëdo justifikimi është tentim për të bllokuar votën e lirë të qytetarëve që ne përfaqësojmë”, tha Tahiri.
AAK dhe PDK kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe funksionalizimin e Kuvendit, në një kohë kur procesi i konstituimit të institucioneve vazhdon të jetë i bllokuar.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
