Emisari i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka thënë se Shtetet e Bashkuara mbeten partner i rëndësishëm në procesin e dialogut, por përgjegjësia për zbatimin e marrëveshjeve u takon drejtpërdrejt Prishtinës dhe Beogradit. Në një intervistë për gazetën serbe Danas, Sorensen theksoi se dialogu udhëhiqet nga Bashkimi Evropian dhe se koordinimi me Washingtonin ndihmon procesin e normalizimit. “Në fund të fundit, zbatimi i marrëveshjeve është përgjegjësi e Beogradit dhe Prishtinës”, tha Sorensen. Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, emisari evropian tha se bëhet fjalë për një obligim të kahershëm të Kosovës, i cili nuk ndryshon për shkak të zhvillimeve politike apo zgjedhjeve. Sorensen iu referua edhe marrëveshjes së vitit 2023 dhe Aneksit të Ohrit, duke thënë se BE-ja pret nga të dyja palët përmbushjen e të gjitha detyrimeve të dakorduara. “Zhvillimet politike apo zgjedhore nuk i ndryshojnë këto obligime”, deklaroi ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
