Avni Dehari u bën thirrje partive për marrëveshje: “Të shmangim zgjedhjet e reja”

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka kërkuar nga partitë politike që të ulen në një tryezë të përbashkët dhe të gjejnë zgjidhje për bllokadën institucionale. Dehari ka paralajmëruar se vazhdimi i seancës pa një marrëveshje politike mund të rrisë tensionet dhe të sjellë përplasje të tjera në Kuvend, duke iu referuar edhe situatës së krijuar ditë më parë. Sipas tij, prioritet duhet të jetë gjetja e një marrëveshjeje që do të mundësonte konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe më pas zgjedhjen e një presidenti konsensual. “Kosova ka nevojë për përgjegjësi politike, dialog dhe për një marrëveshje që e zhbllokon situatën institucionale”, ka shkruar Dehari. Ai ka theksuar se pa një dakordim paraprak për presidentin, konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë mund ta çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja. “Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar Dehari. Dehari u ka bërë thirrje liderëve politikë që të marrin përgjegjësinë dhe të gjejnë një zgjidhje, duke theksuar se qytetarët tashmë kanë votuar disa herë dhe se vendit i duhen institucione funksionale

Kontrolloni gjithashtu

Sahit Muja: Kosova duhet ta shohë energjinë si bazë për zhvillim dhe investime amerikane

Biznesmeni shqiptaro-amerikan Sahit Muja ka folur për mundësitë që Shqipëria dhe Kosova kanë në fushën …