Dita e fundit e vizitës së Jakup Krasniqit në Kosovë është përcjellë me emocione të forta, lot dhe dhimbje te familjarët e tij. Në këto çaste të ndarjes, përshëndetja që mori nga flamujt, simboli i atdheut për të cilin dha kontributin e tij, kishte një domethënie të veçantë. Sot, Baci Jakup u përshëndet nga flamujt që valëviteshin krenarë, duke përcjellë një mesazh respekti, nderimi dhe mirënjohjeje për njeriun që jetën ia kushtoi gjuhës, kombit, atdheut dhe lirisë. Në heshtjen e tyre, flamujt sikur shprehën atë që fjalët shpesh nuk arrijnë ta thonë: se ata që i shërbyen me përkushtim vendit dhe lirisë nuk harrohen dhe nuk mbeten vetëm në kujtesën e popullit të tyre. Vizita katërditore e Krasniqit, e mundësuar për arsye humanitare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, përfundoi me një ndarje të rëndë për familjen, e cila këto ditë pati mundësinë ta shihte pranë, por jo ta përqafonte lirisht. Për familjarët, mbeten lotët, malli dhe ato pak çaste kur mundën ta shihnin e ta përshëndesnin nga larg. Për shumë të tjerë, pamjet e kësaj vizite janë një kujtesë e dhimbshme e largësisë mes një njeriu dhe familjes së tij.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
