Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve më 16 shtator, datë kur pritet të shpallet vendimi përfundimtar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Duke folur në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, Haradinaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos e presin në mënyrë pasive vendimin, por të mblidhen në rrugët e Kosovës për të pritur ish-krerët e UÇK-së. “Njerëz, më 15 e 16 shtator nuk duhet të presin autobusë. Njerëzit duhet të nisen këmbë, të vërshojnë e të mbushin krejt rrugët e Kosovës me njerëz që i presin”, tha ai. Haradinaj ka shprehur optimizëm se vendimi mund të jetë lirues dhe se pret që ish-presidenti Hashim Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë të kthehen në Kosovë. “Unë pres në Kosovë, duke e pritur Hashim Thaçin që t’ia jap dorën për lirim”, deklaroi Haradinaj. Ai gjithashtu kritikoi ata që, sipas tij, kanë përgatitur plane për të festuar në rast të një dënimi, duke shprehur shpresën se vendimi përfundimtar do të jetë në favor të ish-krerëve të UÇK-së. Vendimi në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme për Kosovën gjatë shtatorit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
