Dr. Skёnder Demaliaj: REFORMIMI I ARSIMIT TË LARTË DHE ZHVILLIMI I EKONOMISË II

Dr. Skënder Demaliaj: NGA BURON HUMANIZMI DHE MIRËSIA E BIZNESMENIT RAM GECI

Humanizmi është më shumë se një ide filozofike, është një qendrim praktik dhe një mënyrë jetese që kërkon që çdo individ të trajtohet me dinjitet dhe respekt dhe që shoqëria të jetë e angazhuar për mirëqenien dhe zhvillimin e të gjithëve.

Të jesh human do të thotë të mbash qendrim njerëzor e fisnik dhe të tregosh dashuri të thellë ndaj të gjithë njerëzve, t’u urosh më të mirën dhe lumturinë, të ndjesh dhembshuri për ta. Ajo që na bashkon me njerëzit është pikërisht fakti se jemi njerëz dhe qenie humane. Nuk ka gjë më të bukur se të kesh zemër të gjerë dhe të madhe, e cila i nxë të gjithë. I tillë është biznesmeni Ramë Geci.

Nga elementë të veçantë dhe segmente të forcave politike krijohet perceptimi i gabuar se biznesmenët vetëm i zhvatin qytetarët, i shfrytëzojnë maksimalisht dhe ua marrin shpirtin. Se biznesmenët marrin tendera të pamerituara, përfitojnë në mënyrë të pandershme nga paratë publike. Nuk është kjo e përgjithshmja edhe pse ka raste që abuzohet me shërbimet publike. Biznesmenët krijojnë vende pune, me të cilat ushqehen mijëra familje, sponsorizojnë veprimtari të ndryshme, dhurojnë para për njerëzit në nevojë, i paguajnë taksa shtetit etj.

Në këtë kategori bën pjesë edhe Ram Geci. Ka sponsorizuar për rikonstruksion të shkollave, të rrugëve, ndërtim ujësjellësash, për veprimtari të ndryshme në Bashkinë Bajram Curr e Kukës dhe për Shoqatën e Bytyçit, për botime librash, për ndihma ushqimore për banorët e Bytyçit, për shërbime mjekësore etj.

Humanizmi është një filozofi dhe një lëvizje kulturore që fokusohet në vlerat, dinjitetin dhe aftësitë e njeriut

Pra humanizmi beson në aftësitë e njeriut, zhvillon mendimin kritik, kreativitetin, i përgatit individët për të qenë profesionistë të sukseshëm, por edhe qytetarë të ndërgjegjshëm aktivë. Rrit ndjeshmërinë për jetën dhe botën përreth. Humanizmi është një filozofi që thekson rëndësinë e njeriut, potencialin e tij për zhvillim dhe nevojën për të ndërtuar një shoqëri të drejtë dhe të arsimuar. Të jemi pranë të tjerëve, të dhurojmë dashuri dhe shpresë, si dhe të ndërtojmë një botë më të drejtë dhe paqësore – është obligim për çdo qytetar, aq më tepër për pushtetarët e zgjedhur për t’i shërbyer komunitetit dhe për biznesmenët. Biznesmeni i ndarë nga cilësia e qëllimeve, pa qëllime të tjera, përveç mbretërisë së parave, çfarëdo qoftë ai, mund ta asgjesojë njeriun cilësor. Epoka e shekullit XXI është epoka e njeriut cilësor. Gjithashtu është një epokë lakmitare dhe që kërkon sakrifica nga të gjithë. Kërkon që edhe një pjesë të parave, më shumë se deri tani biznesmenët të japin në formë donacionesh për punë e shërbime publike. Ram Geci nga viti në vit shton kapitalin, por shton edhe sponsorizimet, pra dhuron më shumë lekë për njerëzit, të cilët e falenderojnë me shprehjen: “T’u rrittë ndera Ram Geci!

Antonio Sacca, shkrimtar eseist, poet dhe filozof thotë se vetëm humanizmi mund të na shpëtojë. Ndonëse kjo duhet marrë me rezerva, sepse nuk është vetëm ai, ka edhe faktorë dhe elemente të tjera, e ka brenda edhe një të vërtetë, e cila duhet marrë në konsideratë. Kuptimi i jetës është brenda jetës, në ritmin e çdo ore dhe dite, në punët e mira që bëjmë. Sami Frashëri thoshte: “Atdhetaria dhe humanizmi bëhen me punë e jo me fjalë. Kush tregohet i tillë me fjalë, është një mashtrues”. Ram Geci është njeriu i punës, punon, punon parreshtur. Pa punë nuk kemi para, pa patur para të mjaftueshme nuk mund t’i ndihmojmë të tjerët. Shto financat, shto mbështetjen për njerëzit – kjo është deviza e biznesmenit Ram Geci. Qartësimi prej tij i mendimeve, i projekteve, zhvillimi më tej i qendrimeve ekuilibruese, rritja e vetëbesimit e kanë ndihmuar të ecë e të përparojë me shpejtësi në biznesin e tij.

Poeti Xhon Milton thoshte: “Një mendje e shëndoshë dhe në vendin e vet mund të kthejë një Parajsë të Ferrit në një Ferr të Parajsës.” Studiuesit që merren me psikologjinë e parasë kanë parashtruar tezën se paratë mbështeten më shumë në psikologji, sesa në financa. Ram Geci po i përdot paratë për të fituar kontroll mbi kohën, sepse mungesa e kontrollit të kohës është pëngesë shumë e fuqishme dhe universale e lumturisë. Pasioni shfaqet kur ajo që kryejmë na jeop kënaqësi. Të dhuruarit për njerëzit i jep dhe i shton kënaqësinë Ram Gecit. Psikologu austriak, Alfred Adler në librin: “Qëllimi i jetës” shkruan: “Njeriu që nuk interesohet për të tjerët është ai që ka më shumë vështirësi në jetë. Janë këta individë që dështojnë në arritjen e qëllimeve të tyre”. Në anketat që politikanë  dhe sociologë kanë bërë në vende të ndryshme rezulton se gjëja që u intereson më shumë njerëzve është shëndeti, puna, pastaj si t’i kuptojmë njerëzit, si të qendrojmë së bashku. Popullariteti, lumturia, pjesëmarrja në shoqëri e çdo individi varen nga aftësia për t’u marrë vesh me njerëzit. Ram Geci merret shumë mirë vesh me njerëzit, se i vlerëson për kapacitetet e tyre. Ai e ka bërë të vetën shrehjen proverbiale: “Nëse do të marrësh mjaltin, mos godit me shkelma kosheren!” Nëse dëshirojmë të bëjmë miq, duhet të mbajmë parasysh të bëjmë diçka për të tjerët, gjëra këto që kërkojnë kohë, energji, altriuzëm, dëshirë. Të gjitha këto cilësi i ka Ram Geci dhe i demonstron në jetën dhe punën e tij të përditëshme.

Humanizmi është një tipar personaliteti që karakterizohet nga parime morale, që shprehin humanizmin në lidhje më marrëdhëniet e përditëshme me njerëzit

Te humanizmi hyjnë: vetëflijimi në emër të të tjerëve, vullneti i mirë, sinqeriteti, bujaria, respekti, modestia dhe ndershmëria. Njeriu human i do njerëzit dhe iu uron lumturinë atyre, ashtu siç e uron për veten e vet. Nisur nga lumturia, njerëzit ndahen në katër kategori:

  • I pari, është njeri i lumtur.
  • I dyti, është i lumtur, por kërkon t’i lumturojë edhe njerëzit e tjerë.
  • I treti, është i vuajtur.
  • I katërti, është i vuajtur dhe uron që të gjithë njerëzit të vuajnë si ai.

Ram Geci bën pjesë në kategorinë e parë dhe të dytë. Humanizmi e ndihmon në këtë drejtim. Humanizmi nuk të varfëron, përkundrazi të pasuron shpirtërisht dhe kështu ndihesh më mirë edhe materialisht.

Sipas Sartrit, njerëzit duhet të marrin përgjegjësinë për sjelljen e tyre. Vazhdon më tej: “Kur modeloj vetvetën, unë modeloj njeriun”. Vepra e tij: “Ekzistencializmi dhe Humanizmi”, botuar më 29 tetor 1945, ofron një përshkrim të qenieve njerëzore si një projekt dhe si një angazhim. Sartri e përkufizon ankthin si emocionin, që njerëzit ndjenë pasi e kuptojnë se janë përgjegjës, jo vetëm për veten e tyre, por për gjithë njerëzimin. Humanisti Ram Geci, si shumë biznesmenë të tjerë janë përgjegjës, jo vetëm për njerëzit që punojnë në kompanitë e tyre, por edhe për të tjerë që kanë nevojë dhe kërkojnë mbështetjen e tyre, si edhe për zhvillimin e vendit. Edgar Morin, sociolog dhe filozof francez thotë: “E keqa e madhe nuk është aq moskomunikimi, se moskuptimi, jo vetëm mes qytetarëve të së njëjtës shoqëri, por edhe ndaj të huajit, të ndryshëm nga ne”. Detyra e procesit të formimit bëhet thelbësore nëse ofron mirëkuptim njerëzor, i cili kupton hapje ndaj të tjerëve. Kuptimi kërkon dëgjim, lejon pjesëmarrjen emocionale në dëgjimin e tjetrit. Të kuptuarit të lejon të mbash larg refuzimin e të tjerëve, sepse mirëkuptim do të thotë të hysh në një marrëdhënie, të krijosh një lidhje, një fije të padukshme, të krijuar nga shkëmbimi dhe krahasimi i ndërsjelltë. Kur komunikon me njerëzit kërkohet të jesh dëgjues i mirë.

Rokfelleri shpesh recitonte një poezi:

Një buf i mençur në një lis rronte,

Sa më shumë që shihte, aq më pak fliste,

Sa më pak fliste, aq më shumë dëgjonte,

Ah, sikur ta kishim këtë mençuri të fisme!

Të dëgjosh me vëmendje të tjerët është virtyt, është respekt, vlerësim dhe cilësi e njerëve me vlera. Ram Geci në takimet dhe bisedat me njerëzit është një dëgjues i vëmendshëm. Dëgjon më shumë e flet më pak dhe për ato që u interesojnë atyre. Ua krijon mundësinë njerëzve të shprehen lirshëm. Vepron në mënyrë të atillë që ata të ndihen të rëndësishëm dhe këtë e realizon natyrshëm e me sinqeritet.

Epilogu

Humanizmi te një biznesmen nuk shprehet vetëm me atë sa lekë dhuron, sa sponsorizime bën, por sa vlerësime të ndershme e të sinqerta u bën njerëzve, sa interesohet në mënyrë të sinqertë për ta. A i përshëndet njërëzit më gëzim e gjallëri, sepse efekti i buzëqeshjes është i fuqishëm. Proverbi: “Një burrë që nuk di të qeshë, nuk duhet të hapë kurrë një dyqan”, aq më tepër një biznes të madh, siç është rasti i Ram Gecit. Ai është gjithnjë i qeshur, i përzemërt, motivues, vlerëues dhe që jep më shumë këshilla sesa urdhëra. Vetmia shërohet nga kontakti me realitetin, duke kuptuar se kemi nevojë për njerëz. Vetmia të çon në stres, depresion dhe ankth.

Ram Geci është ambicioz. Synon arritje e suksese të tjera më të mëdha. Ambicja e tij buron nga besimi se nuk je mjaftueshëm i mire dhe duhet të bësh më shumë. Kjo e ndihmon të realizojë atë që dëshiron të gjejë e të kuptojë gabimet, t’i korrigjojë në kohë e të ecë përpara. Përulësia, mirësia, empatia e tij e ka rritur prestigjin dhe respektin e njerëzve për të.

Individi është çfarë mendon gjatë gjithë ditës. Mendo për keq, të keqen do ta kesh nga pas. Mendo për mirë dhe e mira do të të ndjekë. Këtu është i përqendruar Ram Geci.

Çdo metodë që të ndihmon të kalosh nga ndjenja e frikës dhe e shqetësimit drejt besimit dhe shpresës, ka veti shëruese. Nënë Tereza thoshte: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.

Shekspiri i Madh shkruante:

O njeri, qenie e ngratë!

Sapo fiton pushtet fillon të sillesh,

Aq me budallëk nën kupë qiellore,

Nga e cila edhe ëngjëjt qajnë.

Ram Geci ka pushtet mbi paratë, por nuk dëshiron ta ketë mbi njerëzit. I ka fituar me punë e sakrifica, por kjo nuk e ka bërë mospërfillës e përbuzës ndaj njerëzve, të sillet keq me ta, përkundrazi karakterizohet nga thjeshtësia, mirësia, dashuria dhe dhimbja për njerëzit.

Bill Gross e pranon se mbase nuk do të ishte, ku është sot, nëse do të kishte lindur një dekadë më vonë ose më herët. Ram Geci qe koherent me veten e me të tjerët, ishte në momentin e duhur dhe në vendin e duhur kur i hyri biznesit. Fati qe me të, por edhe ai e kërkoi fatin, e gjeti dhe ia bëri hyzmetin…

 

Kontrolloni gjithashtu

Sterjo Spasse, (1914- 1989) romansieri ndër më të njohurit e letërsisë shqipe

Sterjo Spasse, (1914- 1989) romansieri ndër më të njohurit e letërsisë shqipe

Sterjo Spase, njeriu që shkruajti për të edukuar dhe kënaqur breza të tërë shqiptarësh. U …