Metush Krasniqi

Shefik Sadiku: METUSH KRASNIQI (19.8.1927 – 15.10.1986)

Metush Krasniqi lindi më 19. 8. 1927 në fshatin Dajkoc, Komuna e Dardanës (ish-Kamenicës).

Për herë të parë e kanë burgosur në Lubjanë në pranverë të vitit 1947, sa ishte në shërbimin ushtarak!

Për herë të dytë e kanë burgosur më 1948 në Gjakovë. Arrestimi është bërë para nxënësve të Shkollës Normale, kur po i ndiqte mësimet përfundimtare në këtë shkollë.

Për herë të tretë e kanë burgosur në vitin 1956, gjatë aksionit të armëve. E kanë dënuar me 60 ditë burg! Ky dënim iu shqiptua se nuk dorëzoi armë dhe e akuzuan se po bënte propagandë kundër rendit kushtetues të Jugosllavisë, për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi. Iu kishin zënë disa shkrime me planprograme shkollore në gjuhën shqipe, sepse ishin të ndaluara! Në këtë kohë ishte drejtor i Shkollës Fillore në fshatin Roganë!

Zhvillimet politike dhe luftarake gjatë Luftës së Dytë Botërore i lanë trojet shqiptare të copëzuara dhe nën pushtimin jugosllav, gjegjësisht pushtimit serb. Vrasjet dhe burgosjet e shqiptarve, pas vitit 1945 dhe dalja në skenën politike e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, si dhe burgosjet e pushkatimet e krerëve të NDSH-së, nuk e lanë kurrë të qetë Metush Krasniqin.

Për herë të katërtMetushin e burgosën më 3 nëntor 1958, kur i ngritën aktakuzë dhe e nxorën para Trupit Gjykues të Gjykatës së Qarkut të Gjilanit më 1- 7 mars 1959.

Në Gjykatën e Qarkut në Gjilan ka filluar gjykimi kundër Metushit Krasniqit, Sejdi Kryeziut, Mark Gashit, Mehmet Nuredinit, Qemajl Kallabës e Mehmet Ajetit. Gjykimiështë pritur në opinion me interesim të madh. Propaganda e UDB-së i dha publicitet të madh këtij gjykimi.

Veprimtaria kombëtare e Metush Krasniqit dhe e shokëve të tij trajtohej nga propaganda e Beogradit si vepër penale kundër shtetit. Grupi i tij akuzohej si nacionalistë, irredentistë, terroristë…Nacionalistët dhe irredentistët shqiptarë të grupit ilegal të Metush Krasniqit, shkruante shtypi iasaj kohe, “përmes luftës së armatosur e dhunës kanë planifikuar shkëputjen e Kosovës nga Serbia- Jugosllavia dhe bashkimin e saj me Shqipërinë”. Kjo pra ishte propaganda thelbësore me akuza sa më të rënda në mënyrë që “armiqtë” të dënohen sa më parë me dënime të rënda!

Fjala përfundimtare e Metush Krasniqit para trupit gjykues

…Gjendemi para një trupi gjykues pa dëshirën tonë. Këtu na ka sjellë UDB-a dhe gardianët na mbajnë të mbyllur në burg. Para këtij trupi gjykues duhet të flasim pa droje se do të na përsëritet dhuna e inspektorëve të sigurimit shtetëror jugosllavë dhe e gardianëve të burgut, si hyzmeqarë të tyre, të cilët për këto katër muaj janë sjellë ndaj të burgosurve sikur ndaj shtazëve. Të themë se asgjë nuk ka të vërtetë në aktakuzë, nuk është e drejtë, por para se me folë, dua të parafrazoj një realitet tjetër që ka të bëjë me shqiptarët;

– E para, nga pushteti jugosllav Kosova shfrytëzohet mizorisht, populli shqiptar trajtohet sikur në Jugosllavinë e kralit, nuk i gëzon të drejtat më elementare në asnjë segment të jetës, si në punësim, në administratë, në shëndetësi, në arsim, në kulturë etj.

– E dyta, nga pushteti “popullor”i Jugosllavisë së Titos nuk iu ka hequr dhuna popullit shqiptar. Unë e shtroj pyetjen, sa shqiptarë janë ekzekutuar pa gjyq prej nëntorit të vitit 1944 e deri sot? Sa vrasje ndodhën në emër të “armiqëve” të shtetit? Me dhjetëra mijëra shqiptarë… Mund të jenë edhe më shumë se 20 mijë në gjitha trojet shqiptare në Jugosllavi.

– E treta, aksioni i armëve u zhvillua vetëm në Kosovë për t’i çarmatosur shqiptarët. Pse i njëjti aksion nuk u zhvillua edhe në republikat tjera? Pse kjo dhunë dhe këto vdekje të dhunshme të shqiptarëve? Pse një pushkë është shitur me dhjetëra herë? Pse shqiptarët i nënshtroheshin atij terrori në emër të Partisë Komuniste Jugosllave? Në rrethin tonë, në Kamenicë, si pasojë i patëm tri vdekje dhe mbi 3000 të keqtrajtuar fizikisht me metodat më sadiste, që munden t’i bëjnë vetëm regjimet antipopullore ndaj shtetasve, duke i trajtuar si skllevër! 

Këtu i ndërhyni në fjalë kryetari i gjyqit, duke e kërcënuar se do t’ia merr fjalën, dhe i thotë; – I pandehur, ti po e paraqet mbrojtjen tuaj apo shqiptarët po i mbron? Metushi vazhdoi: – Tash dua me dalë te mbrojtja.Po ju pyes juve, si është e mundur që prej duarve të UDB-së të ikë Sahit Zubaku e të shkojë të varet në nallbanhanen e Ismajl Zubakut? Ju, si gjykatës, mund të ma merrni fjalën, megjithatë jeni të thirrur të gjykoni drejt, e jo sikur këta zotërinjtë, të cilët i tregojnë muskujt para të burgosurve dhe të vetmin mjet të komunikimit e kanë shkopin në dorëne tyre dhe dhunën fizike!

– E katërta, a po i sheh këta shokët e mi, hiq Metën, të tjerët janë të pestit mësues me profesion, shqiptarë më të shkolluar në trevën tonë nuk kemi. Ky është shkaku pse na keni burgosur, por duhet ta dijë shteti juaj se nxënësit, të cilët kanë dalë prej tyre, nuk do ta ndjekin rrugën e shtetit i cili e përdor dhunën ndaj shtetasve të vet dhe do t’i respektojë edhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kurse UDB-a dhe policia juaj prodhojnë vetëm dhunë e asgjë tjetër…

Këtu kryetari i trupit gjykues ia mori fjalën Metushit dhe e ftoi një dëshmitar serb, Jovo Milenkoviq,i cili mes tjerash, deklaroi: – Metush Krasniqi, gjatë fushatës zgjedhore të Këshillit Popullor në Muçiverc, në vitin 1957, agjitonte kundër kandidatëve, të cilët i kishte propozuar partia komuniste dhe pushteti popullor. Në vend të tyre kishte dëshirë t’i zgjidhte nacionalistët dhe armiqtë, siç ishin: Sejdi Kryeziu dhe Qemajl Kallaba. Metushi gjithnjë ka dëgjuar radiostacione reaksionare, si: Radio BBC-në, “Zërin e Amerikës” etj.Rregullisht ka bërë propagandë kundër shtetit tonë nëpër oda dhe ndeja me katundarë, si në Hogosh, Rogaçicë, Muçiverc, Hodonoc, Strezoc, Dajkoc etj. Po ashtu, iu ka shpjeguar se çka ka lexuar nëpër gazeta të huaja kundër Serbisë, sidomos nga gazetat e Shqipërisë, Turqisë etj.

Ja se çka mund të nxjerrë njeriu nga ky dëshmitarë shovinist serb, të cilin UDB-a e ka përpunuar se si me folë dhe me shprehë urrejtjen ndaj fqinjve të tij shqiptarë. Vlenë të theksohet se, pos Metushit e Sejdi Kryeziut, edhe Mark Gashi i ka mohuar deklaratat e dhëna në hetuesi, sepse ato deklarata janë konstruktuar sipas diktatit të inspektorëve të UDB-së, si dhe është përdorë dhuna fizike ndaj të akuzuarve.

Anëtari i trupit gjykues, Mustafë Hoxha, iu drejtua Metushit:

– I pandehurMetush Krasniqi, tregoni gjyqit se a është ky nënshkrimi juaj?

– Po, gjykatës, para se të përgjigjem në pyetjen tuaj, po e shtroj një kundërpyetje, pse vallë nuk më pyetët se si kemi kaluar në hetuesi? Shikoni këta shokë, të gjithë kanë qenë mësues, kanë punuar me zell nëpër shkolla me nxënës, por dhunën e xhelatëve tuaj nuk e kanë imagjinuar.Megjithatë, e kanë provuar në lëkurën e në trupin e tyre, në qelitë ku qëndrojnë, trajtohemi më keq se kafshët. Në emër të drejtësisë dhe propagandës ju servoni lagështi. Promaja na mbyti, nga plagët e dhunës na kullojnë këmbët. Nuk kemi trajtim mjekësor e ju ende pyesni se a është ky nënshkrimi im apo jo!?Të gjitha këto na i shkaktojnë gardianët e burgut dhe inspektorët tuaj, që janë të gjithëpushtetshëm. Duke u bazuar në këtë që theksova, deklaratat nuk i pranoj si të mijat, sepse kanë mund të falsifikohen, por qëndroj pranë kësaj deklarate të cilën e japë para gjyqit.

Metushi vazhdoi para këtij gjyqi: – Deklaroj me përgjegjësi morale dhe politike se e kam themeluar organizatën politike “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin amë“. Referatin e kam shkruar unë, e kam bërë skicën për formacionin ushtarak, brigadën e luftëtarëve shqiptarë të Moravës lindore (ORGANOGRAMIN), e kam vizatuar shqiponjën dykrenare për t’u betuar para saj, i kam shkruar poezitë, traktet e proklamatat, i kam bërë thirrje popullit tim për luftë për çlirim nacional dhe bashkimin me Atdheun tonë – Shqipërinë. Plotësisht jam i vetëdijshëm, ia kam pasur borgj popullit tim, prandaj e kam dhënë një kontribut të vogël, pasi nuk kemi arritur ta çlirojmë. Këtë detyrim, që e kam pasur ndaj popullit tim deri në arritjen e lirisë, nuk do të pushoj së punuari në këtë drejtim, për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet, me një emër të natyrshëm, Shqipëri!

Trupi gjykues mbeti i shtangur, duke e dëgjuar Metush Krasniqin,i cili vazhdoi:

Vërtet kam shkruar për masakrat e gjenocidin ndaj popullit shqiptar, të cilin e ka shkaktuar shteti jugosllavë.Pra, kam shkruar dhe do të shkruaj deri sa t’i realizojmë kërkesat tona. Nuk mund të quhet krim nëse lufton për çlirimin e popullit tuaj e të atdheut. Nuk është krim nëse e pengon shpërnguljen e popullit tuaj dhe e pengon kolonizimin me serb e të tjerë! Mund të më quani nacionalist dhe irredentist, por unë ndihem krenar. Ju nuk mund të më dënoni për krimet që i ka bërë shteti jugosllav ndaj shqiptarëve prej nëntorit të vitit 1944 e deri në aksionin e armëve më 1955/56 dhe për torturat që ia kanë shkaktuar popullit shqiptar. Ju mund të më dënoni, mirëpo drejtësia është në anën time dhe të shokëve të mi. Nëse, sadopak, kam thënë të pavërteta, atëherë unë bartë përgjegjësi. Nëse mund të më bindni se Sahit Zubakun nuk e kanë varur milicët dhe UDB-a, atëherë do të isha i lumtur sikur të dilte e kundërta, se Sahiti është i gjallë.

Krejt në fund, me përgjegjësi deklaroj; – Edhe nga kjo gjykatë e thërras popullin shqiptar të organizohemi dhe ta luftojmë këtë pushtet, i cili i vret qytetarët e vet. Derisa të jam i gjallë do të punoj për çlirimin e trojeve shqiptare dhe bashkimin me Shqipërinë.

Pastaj, janë marrë në pyetje të gjithë të akuzuarit, por nuk kishin se çka të shtonin pas fjalimit të të madhit Metush Krasniqi. Edhe prokurorit i humbi llogaria, sepse shumë pak informacione kishte nga ato që i paraqiti Metushi në fjalën përfundimtare para trupit gjykues, ndërkaq mbrojtësit kukulla, që i kishte caktuar gjyqi, nuk patën se çka të flasin.

Shqiptimi i dënimit për Metushin me shokë:

Në fund, më 7 mars 1959, në bazë të nenit 117, alineja 1, në lidhje me nenin 100 dhe 101, alineja 1 e kodit penal të RFPJ, Gjyqi i Qarkut në Gjilan ua shqiptoi dënimin të akuzuarve, sa vijon:

  1. Metush Krasniqidënohet më 18 vjet burg të rëndë dhe me tri vjet përkufizim të të drejtave qytetare,
  2. Mark Gashi dënohet me 10 vjet burg të rëndë dhe dy vjet përkufizim të të drejtave qytetare,
  3. Sejdi Kryeziu dënohet me 10 vjet burg të rëndëdhe dy vjet përkufizim të të drejtave qytetare,
  4. Mehmet Nuredin Dërmaku dënohet me dy vjet burg të rëndë,
  5. Qemajl Kallaba dënohet me një vit e gjysmë burg të rëndë,
  6. Mehmet Ajeti, dënohet me një vit e gjysmë burg të rëngë.

Për herë të pestëMetushin e burgosin në nëntor të vitit 1969, pas demonstratave të vitit 1968! Akuzohej për organizimin e demonstratave dhe bashkëpunimin me organizatorët e demonstratave. E liruan gjoja në mungesë të fakteve, sepse asnjëri nga organizatorët nuk e zuri në gojë emrin e tij!

Në realitet Metushi ishte ideolog i demonstratave të vitit 1968. Ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë e kishte Ismajl Dumoshin, përmes të cilit takoheshin me Osman Dumoshin. Megjithatë, Metushi bashkëpunonte me të gjithë organizatorët e demonstratave, por shumica prej tyre kanë menduar se vetëm ai kishte kontakte me Metushin(!) si, Hasan Dërmaku, Skënder Kastrati, Osman Dumoshi, Selatin Novosella, Isa Kastrati, Rexhep Mala, Ilmi Ramadani etj. Pas lirimit nga burgu Metushi ka pasë kontakte pothuaj me të gjithë ish-të burgosurit politikë të trojeve shqiptare.Nga të gjithë ka qenë i pranueshëm. Kjo flet shumë për një personalitet, i cili nuk e përjashton askend por i bashkon të gjithë!

Metush Krasniqi ishte përpjekur, me tërë qenien e tij, që energjitë atdhedashëse të të gjithë veprimtarëve, pa dallim ideje, t’i shkrijë në dobi të çështjes kombëtare, për Shqipërinë.

Se puna e tij ishte në frymën e bashkimit kombëtar, e paraqes një fakt konkret: Metushi organizoi një pritje të ngrohtë në shtëpinë e vet, në Dajkoc të Dardanës, më 2, 3 dhe 4 shtator të vitit 1974, bashkë me Adem Demaçin, Mulla Ramë Govorin, Hyrije Hanën, Ahmet Haxhiun, Selman Ramadanin, Fehmi Bajramin, Sylë Krasniqin (pleqnar), Hazir Krasniqin (kushëri). Në këtë takim ishin edhe Ilmi Ramadani, student, si dhe Emin e Besnik Krasniqi, nxënës.

Nga këto biseda me ndjenja të larta atdhedashurie u arrit marrëveshja e pajtimit në ide e veprime dhe u vendos që të vazhdohet lufta nacionalçlirimtare e Kosovës e viseve tjera në ish-Jugosllavi vetëm me një “Platformë Politike Kombëtare”, as në të majtë e as të djathtë, nga i cili takim, në vitin 1974, do të lind ”Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës” dhe, më vonë, LNÇKVSHJ-ja e viteve 1976/77.

Mjerisht,në vitin 1975 pushteti antishqiptar e burgosi Adem Demaçin me dhjetra shokë, por Metush Krasniqin nuk e burgosën. Megjithatë, veprimtarinë politike nuk e ndërpreu për asnjë çast!

Për herë të gjashtëMetushin e burgosën në prill të vitit1981, pas demonstratave gjithëpopullore. E mbajnë katër muaj të izoluar në Burgun e Gjilanit! Prej Metush Krasniqit UDB-a kërkonte që ta nënshkruajë një kërkesë për ta liruar nga burgu. Mirëpo, Metushi iu përgjigjet: – kur më keni burgosur, nuk kam bërë kërkesë, prandaj ju më keni burgosur, poashtu duhet edhe të më lironi.Pas daljes nga burgu Metush Krasniqin e shohim duke bashkëpunuar me organizatat ilegale të kohës dhe bashkëpunimi me ta për ta arritur qëllimin themelor, për themelimin e Republikës së Kosovës, por kurrsesi të mos ndalet ideja e bashkimit të trojeve shqiptare me Shqipërinë!

– Pas demonstratave të vitit 1981 Metush Krasniqi ka pas kontakt me shumë individë dhe grupe, të cilat punonin për çlirimin e Kosovës, si me OMLK-në – Hydajet Hysenin, Albanikos-in – me Emin Krasniqin, Besnikun, Ramizin etj.

Për herë të shtatëMetushin e burgosin më 4 nëntor 1985 dhe në burg e mbajnë deri më 17 qershor 1986. Metushin e bashkangjitën me një grup nga Ferizaj, ku ishte i akuzuar edhe Ramadan Haziri, Sylejman Bytyçi etj. Atë e liruan nga burgu por familja e dërgoi në spital. Pasojë nga torturat çnjerëzore të UDB-së, vdiq më 15 tetor 1986 dhe është varrosur me nderime të larta në fshatin e lindjes, në Dajkoc.

Janë mbajtur shumë përkujtime për Metushin, duke filluar nga 14 prilli 1990. Shkollën fillore në fshatin Rogaçicë e emëruan me emrin e tij.Me rastin e 5-vjetorit të vdekjes, në një tubim të gjerë në shkollën fillore “Metush Krasniqi” në Rogaçicë, marrin pjesë shumë shokë të Metushit, në mesin e të cilëve ishin: Mark Gashi, Sejdi Kryeziu, Vesel Shala, Rexhep Avdullahu, Murteza Nura, Selatin Novosella, Skender Kastrati, Hasan e Xhavit Dërmaku e shumë të tjerë. Vlenë të veçohet shënimi i 10-vjetorit të vdekjes, i mbajtur në Rogaçicë, në mes të cilëve mori pjesë edhe Hyrije Hana dhe Adem Demaçi e shumë ish-të burgosur politikë.

Adem Demaçi e ka vlerësuar lart veprimtarinë politike të Metush Krasniqit: Bac Metushi nuk u ndal kurrë së vepruari për çlirimin e kombit dhe Atdheut dhe bashkimin e tij.Ky ishte motivi, edhe pse e vrau armiku ynëshekullor. Kishin frikë nga Metushi, kurse prej neve nuk kanë frikë.Për këtë arsye na lejojnë të sorollatemi poshtë e lartë dhe të bëhemi në copa, si subjekte politike dhe shpërndahemi si zogjtë e qyqeve nëpër këto “parti” dhe asgjë nuk realizohet prej tyre. Ju thërras, nga ky përvjetor, që ta përkujtojmë këtë kolos të pashoq, të cilin e kishim në mesin tonë por nuk ditëm ta ruajmë, të bashkohemi rreth idealit të tij dhe t’i bashkojmë të gjitha forcat mendore e politike dhe ta kapitalizojmë idealin e tij e ta çlirojmë këtë pjesë të territorit të robëruar nga Serbia.

Emrin e Heroit, Metush Krasniqi e mban Shkolla Fillore në Roganë të cilët ia kanë ngritur Bustin! 

Heroit, Metush Krasniqit, iu ka ngritur një shtatore në Parkun e Ulpianës në Prishtinë dhe një shtatore tëngjashme edhe në Qytetin e Dardanës. Punëtorët e Hekurudhës së Kosovës ia kanë ngritë njëbust pranë Stacionit të Trenit në Fushë-Kosovë. Në Drejtorinë e Hekurudhës së Kosovës Metushi ka punuar deri në burgosjen e tij të fundit, pasi e kishin diferencuar nga Shkolla e Mesme Teknike e Prishtinës, ku punonte si referent.

Metush Krasniqi është shpallur HERO I KOSOVËS, prandaj,vepra e tij është e përjetshme.

Lavdi e përjetshme për Heroin, Metush Krasniqi!

Me rastin e shënimit të 35 vjetorit të Heroit, Metush Krasniqi, kjo  kumtesa u lexua ne Tryezën e mbajtur më 15.10.2021 në Prishtinë. E organizuar nga Këshilli Organizativ “Pranvera Shqiptare ’81”!

 

Shefik Sadiku

Më 15.10.2021, Prishtinë

 

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 - 1945

Bajram Dërgut Bajraktari, 1908 – 1945

Familja Bajraktari e Drenasit, (ish-Gllogovc) i takon fisit të Elshanëve, njëri ndër fiset antike të …