Më 10 shtator nisin fjalët përfundimtare ndaj Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut e Kuçit

Gjykata speciale në Hagë ka caktuar datat për mbajtjen e deklaratave përfundimtare në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin që lidhet me veprat penale kundër administrimit të drejtësisë. Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës Speciale, fjalët përfundimtare do të paraqiten më 10, 11 dhe 14 shtator 2026, duke nisur nga ora 09:30. Seancat do të jenë të hapura për publikun dhe do të mund të ndiqen në gjuhën shqipe, angleze dhe serbe përmes transmetimit në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.

Me përfundimin e paraqitjes së provave, procesi gjyqësor ka hyrë në fazën e fundit para shpalljes së aktgjykimit. Prokuroria do të paraqesë e para deklaratën përfundimtare, ndërsa më pas do të flasë Mbrojtja. Palët do të kenë gjithashtu mundësi t’u përgjigjen argumenteve të njëra-tjetrës, ndërsa në fund të akuzuarit do ta kenë mundësinë për fjalën e fundit, pas së cilës Trupi Gjykues do ta mbyllë çështjen.

Gjykimi ndaj Thaçit dhe katër të akuzuarve të tjerë ka nisur më 27 shkurt 2026, ndërsa më 5 gusht gjyqtari i vetëm e deklaroi të mbyllur fazën e administrimit të provave dhe caktoi afatet për dosjet përfundimtare, kundërpërgjigjet dhe deklaratat përmbyllëse.

Sipas aktakuzës, Hashim Thaçi akuzohet për disa vepra penale që lidhen me tentativën për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkeljen e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindjen ndaj gjykatës. Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Hajredin Kuçi për dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Në këtë fazë të procesit, deklaratat përfundimtare pritet të përmbledhin qëndrimet e Prokurorisë dhe Mbrojtjes mbi provat e administruara gjatë gjykimit, dëshmitë e dëshmitarëve dhe çështjet juridike që lidhen me akuzat. Pas përfundimit të këtyre seancave, çështja do të mbetet për vendimmarrje nga gjyqtari i vetëm.

Kontrolloni gjithashtu

Uran Ismaili: Mbi 1 miliard euro janë shpenzuar për import të energjisë gjatë qeverisjes Kurti

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit për mënyrën se si …