Murati

Murati kritikon Kurtin: Afatet kushtetuese i trajton si pengesa për legjitimitetin e veprimeve të tij

Ish-kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mënyrën se si, sipas tij, po sillet ndaj afateve kushtetuese dhe krizës institucionale në vend, duke e akuzuar se po përdor “kritere e nënkritere” për të zvarritur procesin e zgjedhjes së presidentit. Murati ka thënë se Kurti mund të diskutojë “deri në pafundësi” për kriteret që duhet t’i plotësojë kandidati për president, ndërsa ka kritikuar qasjen e tij ndaj Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Muratit, Kurti nuk i sheh afatet kushtetuese dhe vendimet e institucioneve të drejtësisë si kornizë brenda së cilës duhet të veprojë, por si pengesa që, sipas tij, mund të përdoren për të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e veprimeve politike. “Albin Kurti ka kondicion për t’u tallur me bashkëbiseduesit e opinionin publik deri në pafundësi për kriteret e nënkriteret që duhet të plotësohen për kandidatin për president. Afatet kushtetuese, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ligjet e Kushtetuta vetë, nuk i trajton si kornizë brenda të cilave ai duhet të veprojë. Përkundrazi, i trajton si pengesa për legjitimitetin e veprimeve të tij”, ka shkruar Murati. Ai ka bërë një krahasim me periudhën kur Kurti ishte në opozitë, duke pretenduar se atëherë ai nuk e konsideronte votën si burim të vetëm të legjitimitetit, ndërsa sot, sipas Muratit, legjitimitetin e marrë përmes zgjedhjeve e vendos mbi kufizimet ligjore dhe kushtetuese. Murati ka shprehur shqetësim edhe për gjendjen aktuale institucionale, duke thënë se Kurti nuk ka treguar, sipas tij, brengë për “kaosin institucional e kushtetues” në të cilin ndodhet vendi.  “Zgjedhje, kaos institucional, konflikt shoqëror, populizëm i pafre, prapë zgjedhje, prapë kritere e nënkritere, prapë institucione në detyrë, mundësisht ndonjë konflikt ‘parimor’ me të mëdhenjtë e kësaj bote etj., këto janë metodat me të cilat ai rri në pushtet”, ka shkruar Murati.

Kontrolloni gjithashtu

Përparim Gruda: PDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë dhe nuk do t’i bashkohet dialogut politik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka bërë të qartë se PDK-ja do …