Screenshot

Fiknete Mazrekaj: Kur heshtja bëhet bashkëfajësi, nuk mund të hesht përballë atyre që keqpërdorin vlerat e luftës

Fiknete Mazrekaj, motër e dy dëshmorëve të atdheut, ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale, duke kritikuar personat që, sipas saj, po keqpërdorin vlerat e luftës dhe emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në reagimin e saj, Mazrekaj ka thënë se si familjare e dëshmorëve e njeh mirë çmimin e paguar për lirinë dhe se për këtë arsye nuk mund të heshtë përballë, siç i ka quajtur ajo, “gjakshiturve dhe bashkëpunëtorëve” që shfaqen nën petkun e luftëtarëve dhe patriotëve. Ajo ka ngritur pyetje edhe për personat që, sipas saj, janë paraqitur krah dy figurave të cilat ajo i akuzon për spiunazh dhe tradhti, duke pyetur se çfarë i lidh “patriotët” me ta. “Ju mund të fshiheni si të doni pas fjalëve, por populli dhe historia nuk harrojnë”, ka shkruar Mazrekaj, duke shtuar se Kosova nuk është pronë e askujt dhe se ajo është “tokë e shenjtë, e larë me gjakun e bijve dhe bijave më të mirë të kombit”. Mazrekaj ka kritikuar edhe ata që, sipas saj, flasin në emër të dëshmorëve dhe e përdorin UÇK-në për interesa personale. Ajo ka kërkuar përgjegjësi për mënyrën se si, sipas saj, disa persona janë bërë veteranë të luftës, duke pyetur: “Kush i emëroi këta tradhtarë veteranë? Dilni, flisni, mos u fshehni!”. Në reagimin e saj, ajo ka theksuar se Kosova dhe atdheu duhet të jenë mbi çdo interes individual, ndërsa ka bërë thirrje që sakrifica e dëshmorëve të mos keqpërdoret. “Kur flasin familjarët e dëshmorëve, nuk janë poezi tuajat, shantazhe e mburrje se cili është më i zoti e më hero, por janë fjalë dhimbjeje, fjalë sakrifice e fjalë gjaku”, ka shkruar ajo. Mazrekaj ka përmendur edhe dhimbjen e familjarëve të dëshmorëve, duke thënë se është e rëndë për ta të vizitojnë varret e të afërmve të tyre dhe, në të njëjtën kohë, të shohin se disa njerëz, sipas saj, po i shkelin vlerat për të cilat ata dhanë jetën. Në fund të reagimit, ajo ka deklaruar se sakrifica e dëshmorëve nuk do të harrohet dhe se familjarët dhe njerëzit që, sipas saj, e duan vendin do t’i dalin zot Kosovës. “Heronjtë tanë e dëshmuan me vepra, e ju me poshtërsia”, ka shkruar Mazrekaj, duke e përmbyllur reagimin me mesazhin: “Kosova nuk dorëzohet!”.

Kontrolloni gjithashtu

Përparim Gruda: PDK-ja do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë dhe nuk do t’i bashkohet dialogut politik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka bërë të qartë se PDK-ja do …