Isë Hysen Salihaj (1942 - 28.8.1998)

Isë Hysen Salihaj (1942 – 28.8.1998)

Në lapidarin e ngritur përskaj rrugës automobilistike Mitrovicë-Pejë, afër fshatit Shushicë të komunës së Burimit, shkruan: “Midis 999 rrugëve, ju zgjodhët të vetmen – rrugën e lirisë!”.
Në këtë lapidar, po ashtu, janë skalitur edhe emrat dhe fotografitë e tetë anëtarëve dëshmorë të familjes Salihaj nga fshati Shushicë,: Isë Salihaj, Shaban Salihaj, Milaim Salihaj, Hysen Salihaj, Abedin Salihaj, Arben Salihaj, Fatime Salihaj, Hysni Salihaj, si dhe e nipit të tyre, Nazmi Gashi, nga Vojnikëu i komunës së Skënderajt.
Familja e Isë Salihajt radhitet në radhën e atyre familjeve, të cilat edhe gjatë historisë, por edhe në luftën e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kanë dhënë shembullin e flijimit kolektiv familjar për çështjen madhore e të shenjtë të lirisë së atdheut. Një shembull të tillë të flijimit dhanë edhe familjet dëshmore, Jashari në Prekaz, Haradinaj në Gllogjan, Rexhepi në Likoshan e familje të tjera të shenjta si këto.
Dëshmori Isë Salihaj ka lindur në vitin 1922 në Shushicë. Përveç tij, prindërit Hyseni e Hava kishin edhe djalin, Hetemin. Isë, si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, ishte autodidakt. Për t’i rritur dhjetë fëmijët e lindur me të shoqen, Kadën, bën punë të ndryshme fizike, ndërsa mjeshtëri të veçantë kishte hapjen e bunarëve. Duke pasë prirjen e një humori të hollë, por edhe të këndimit, vështirësitë dhe hallet e zakonshme të jetës të shfaqura herë pas here i tejkalon me humor e me këngë. Njihet edhe si këngëtar popullor dhe mjeshtër i tingujve të qiftelisë. Këtë prirje të tij e kanë trashëguar edhe të bijtë. Djali më i madh, dëshmori Shaban Salihaj, jo vetëm u binte qiftelisë e sharkisë, por edhe i ndërtonte ato.
Dëshmori Isë Salihaj kishte hijen e një burri pedant. Në kokë mbante plis, që shkëlqente nga bardhësia. Për këtë bardhësi kujdesej vetë. Druri në të cilin e lante shpesh plisin, sot ruhet si relikt kujtimi për të.
Familja Salihaj, edhe në të kaluaren i kishte paguar haraç të shtrenjtë pushtuesit serb. Në fillim të viteve 20 të shekullit të kaluar, Serbia i arreston dhe pastaj i ekzekuton 11 anëtarë të kësaj familjeje dhe dy mysafirë të saj. Varret e tyre sot janë te vendi i quajtur Te Kulla, në lagjen Salihaj të Shushicës. Kjo ngjarje nuk mund të harrohej as nga Isë dhe as nga bijtë dhe nipat e tij. Prandaj, në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe në përfundim të saj, ai angazhohet në lëvizjen e Ballit Kombëtar, së bashku me vëllain, Hetemin e me kushëririn, Zenel Hasani, me bindjen se do të arrihej çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i kombit. Ky ideal rizgjohet te ai me forcë të pathyeshme, me formimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj me entiziazëm atdhetar u vu në përkrahje të kësaj ushtrie të lavdishme, së bashku me djem, nipa e mbesa.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në shtëpinë e Isës gjen bazën e sigurt e të fortë, kurse te njerëzit e saj, përkrahësit dhe pjesëtarët e devotshëm. Kjo shtëpi, edhe në vitet e mëhershme të dekadës së fundit të shekullit të kaluar kishte rënë në sytë e armikut. Policia serbe e kishte bastisur dIsë herë atë, duke kërkuar armë të mbajtura pa leje. Kjo parashenjë tregonte se pushtuesi serb ia kishte dronë kësaj familjeje, me të cilën kishte pasë punë edhe dIsë dekada më parë.
Në verën e vitit 1997, pjesëtarët e policisë serbe të stacionuar në fshatin Rakosh, Moma, Sllagjani dhe Vesku, bastisin shtëpinë e Isës dhe në atë rast arrestojnë djemtë e tij, Shabanin, Milaimin e Abedinin, si dhe kushëririn, Arifin. Gjatë 24 orëve të arrestit, mbi ta ushtrohet dhunë e vrazhdë fizike. Tri ditë më pas arrestohet edhe Isë me të birin tjetër, Sefën. Ndërkohë, shtëpia e tij bastiset edhe një herë, me ç’rast kapen një revole, një mauzer dhe një pushkë gjuetie. Mirëpo, kësaj radhe, armiku nuk mbetet i pandëshkuar për dhunën që ushtroi mbi Isën dhe bijtë e tij. Pas një kohe, djali i madh, Shabani, vret policin famëkeq, i quajtur Rajko. Pas këtyre ngjarjeve, Isë dhe bijtë e tij, e sidomos Shabani, detyrohen të bëjnë jetë gjysmëlegale, mirëpo, tashmë në trevën e Drenicës po lëvizte publikisht UÇK-ja. Shabani krijon lidhjen me komandantin Abedin Rexha-“Sandokani” dhe së shpejti ngarkohet me detyra të caktuara në shërbim të UÇK-së. Njëra prej detyrave të marra ishte edhe formimi i njësiteve dhe shtrirja e organizimit ushtarak edhe në trevën e Burimit. Në këtë detyrë, Shabani kishte edhe përkrahjen e nipit të vet nga Vojnikëu, Nazmi Gashi, me të cilin do të bien së bashku në fushën e nderit. Në përkrahje të tij dhe për kryerjen e aksioneve, atë e ndihmonin edhe vëllezërit dhe bijtë, por edhe babai, Isë, i cili mbahej në rrjedhë të ngjarjeve.
Në pranverë të vitit 1998, derisa Drenica ishte bërë arenë e luftimeve të ashpra, në fshatin Shushicë e Epërme zhvillohet një tjetër ngjarje, në epiqendër të së cilës ishte djali i madh i Isës, Shabani. Ndërkohë ai dënohet nga gjykata serbe me 15 vjet burg, në mungesë, i akuzuar për vrasjen e policit kriminel, i quajtur Rajko. Për të njëjtën vepër dënohen edhe i biri, Hyseni dhe nipi, Nazmiu. Tashmë ishte fare e qartë se familja e dëshmorit Isë Salihaj ndodhej brenda shnjestrës së forcave serbe. Vetëm pritej momenti kur do të sulmohej ajo e të përsëritej ngjarja e 80 viteve më parë. Pa dyshim, ato kërkonin të shtinin në dorë edhe informacione të tjera për lidhjet e familjes së Isë Salihajt me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Por, momenti i sulmit erdhi më 28 gusht të vitit 1998. rreth orës 5 të një mëngjesi me shi, forcat serbe, policë, ushtarë, paraushtarakë e banda të tjera kriminale e rrethojnë në mënyrë të hekurt, jo vetëm shtëpinë e Isës, por edhe tërë lagjen Salihaj. Në këtë rrethim, zbatohet taktika e patkoit. Brenda natës, po ashtu, ishte bërë edhe fortifikimi me gurë e me zall i pozicioneve në të cilat përqendrohen forcat serbe. Me synimin për të kapur të gjallë personat e rrethuar, ato zbatojnë një taktikë të veçantë sulmi. Për t’i nxjerrë nga shtëpi në befasi e për të krijuar huti e shkujdesje, së pari kallin stoqet e ushqimit të kafshëve në oborrin e shtëpisë. Tymin dhe flakën të dala nga santë, së pari i vërejnë gratë e shtëpisë, të cilat të alarmuara vrapojnë për ta shuar zjarrin. Ndërkohë, e shoqja e Isës, Kada, vrapon ta thërrasë Shabanin e t’i tregojë për zjarrin. Gjithçka po zhvillohej me shpejtësi marramendëse. Duke dyshuar se pas zjarrit fshihej diçka tjetër, Isë sakaq rrëmben automatikun dhe del nga dhoma ku ndodhej. Mirëpo, sapo del nga dera, plagoset në krah. Edhe në gjendje të plagosur, arrin të tërhiqet dIsë metra më larg, prej nga zbraz armën në drejtim të serbëve derIsë t’i pushojë zemra së rrahuri. Të njëjtën kohë, me armë dalin në oborr edhe meshkujt e tjerë. Në atë rast shkëmbehet një zjarr i madh armësh. Forcat e pushtuesit të vendosur në shumë rrathë, zbrazin breshëri plumbash nga të katër anët. Djemtë dhe nipat e Isës kundërpërgjigjen me krejt forcën dhe municionin që disponojnë. beteja zgjat deri në orën 10. Në fushën e nderit e në tokën e tyre të shenjtë, biejnë: Isë Salihaj me të tre bijtë, Shabanin, Milaimin e Abedinin, gruaja e Shabanit, Fatimja, tre djemtë e Shabanit, Hyseni, Hysniu e Arbeni dhe nipi Nazmiu.
Pas këtij aksioni kriminal, forcat serbe vazhdojnë orgjinë e tyre barbare deri në orën 16, në përpjekje për të identifikuar anëtarët e tjerë të familjes së Isës, mirëpo, pa sukses. E shoqja e tij, Kada, nëpër breshërinë e plumbave kishte arritur t’i tërheqë fëmijët, nipat e mbesat, të cilët i çon në shtëpinë fqinje të djemve të kunatit. Ajo nuk tregon që është gruaja e Isës dhe nëna e Shabanit. Atë dhe familjarë të tjerë i merr në pyetje polici famëkeq, i quajtur Moma Ogrenoviq, dhëndrin dhe mikun e të cilit, më parë i kishte vrarë Shabani.
Përveç Shabanit, Milaimit dhe Abedinit, ajo me Isën kishte lindur e rritur edhe shtatë fëmijë të tjerë: Kumrinë, Ukën, Havën, Sefedinin, Milazimin dhe Fatmushin.
Krimi serb në Shushicë u krye pak kohë pasi kryeshefi i policisë në Burim, Pantiq, mbajti një takim me dIsë partiakë shqiptarë faqezi, të vetëquajtur përfaqësues fshatrash. Në këtë takim, midis “palëve” kinse u lidh një pakt gojor mossulmimi i policisë serbe mbi fshatrat shqiptare, me kusht që në to të mos dukej prania e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe që prania eventuale e saj të denoncohej menjëherë te pushtuesi. Sulmi mbi familjen Salihaj dëshmoi sa i qëndrueshëm ishte ky pakt dhe sa e neveritshme është fytyra e kolaboracionistit. Me vrasjen masive të anëtarëve të kësaj familjeje, pushtuesi serb dëshmoi pasione të liga antishqiptare. Këto pasione i dëshmoi edhe duke kërkuar që varrimi i personave të vrarë të varrosen të njëjtën pasdite dhe individualisht e pa ceremoni. Ky urdhër, megjithatë, nuk u përfill dhe varrimi i tyre u bë të nesërmen, më 29 gusht të vitit 1998 nga të afërmit e dashamirët, me ceremoni e me nderime dinjitoze. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …