Bedri Hamza për kandidaturën e Bekim Sejdiut: VV-ja dhe LDK-ja i kanë numrat, por duhet t’i kenë edhe votat

Partia Demokratike e Kosovës nuk pritet të mbështesë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke bërë të qartë se Grupi Parlamentar i PDK-së nuk do të devijojë nga qëndrimi i tij. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat kanë arritur marrëveshje për kandidaturën e Sejdiut, matematikisht i kanë votat e nevojshme, por mbetet e paqartë nëse të gjithë deputetët e këtyre dy subjekteve do të jenë të pranishëm dhe do të votojnë për të. “Kanë arritur marrëveshje, nuk e di a do t’i kenë numrat. Matematikisht i kanë, por me qenë të gjithë prezentë dhe të votojnë është çështje e këtyre dy subjekteve”, ka deklaruar Hamza. Ai ka bërë të ditur se PDK-ja nuk ka një qëndrim të veçantë për kandidatin, pasi Sejdiu nuk është propozim i saj, duke theksuar se partia e njeh atë dhe angazhimin e tij të mëparshëm publik. Sipas Hamzës, PDK-ja e ka bërë të qartë se do të qëndrojë në opozitë dhe se në Kuvend do të veprojë në përputhje me këtë rol, duke kritikuar vendimet që i konsideron të gabuara, por edhe duke mbështetur nismat që janë në interes të vendit. “Ne kemi deklaruar pozicionin tonë. Pozicioni ynë ka qenë i qartë. Kemi folur për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, kjo temë nuk ka qenë në tavolinë dhe kemi deklaruar se ne qëndrojmë në opozitë dhe do ta luajmë rolin tonë si parti politike në opozitë përbrenda Kuvendit”, ka thënë ai. Hamza ka lënë të kuptohet qartë se PDK-ja nuk do të ofrojë vota të paparashikuara për kandidaturën e Sejdiut, duke deklaruar se nuk pret ndonjë devijim të votave nga Grupi Parlamentar i partisë që drejton.

Kontrolloni gjithashtu

Më 25 korrik të vitit 1946, në Blinajë, komuna e Lypjanit, u mbajt Kongresi i Pestë i LNDSH-së, i njohur si Kongresi i Lipovicës

31 gusht 1947: Regjimi titist pushkaton krerët e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare

Më 31 gusht të vitit 1947, pasi ishin dënuar me vdekje pushkatim nga Gjykata e …