Kastrati: Malisheva po ju pret, “Ora e Pritjes” nis edhe në Malishevë

“Ora e Pritjes” ka nisur edhe në Malishevë duke iu bashkuar qyteteve të tjera të Kosovës në numërimin mbrapsht drejt 16 shtatorit, ditës kur pritet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Në aktivitetin e organizuar në Malishevë morën pjesë krerët instiucional të komunës, Ekrem Kastrati dhe Vesel Krasniqi, përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Eliza Hoxha, së bashku me qytetarë dhe përfaqësues lokalë.

“Sonte, së bashku me qytetarët tanë, vendosëm në Sheshin e Dëshmorëve “Orën e Pritjes”, duke iu bashkuar aktiviteteve të platformës “Liria Ka Emër” në prag të 16 shtatorit.

Si Komunë e Malishevës, si Malishevë, bashkë me qytetarët tanë pa dallim, qëndrojmë të bashkuar në mbrojtje të vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të së vërtetës sonë historike.

Nga Malisheva, mesazhi ynë është i qartë dhe i përbashkët; Kosova po ju pret”, ka shkruar në Facebook, kryetari Ekrem Kastrati.

Përfaqësuesit e “Liria Ka Emër” theksuan se përfshirja e gjithnjë e më shumë qyteteve në këtë nismë dëshmon për një ndjenjë të gjerë solidariteti dhe përkushtimi për ruajtjen e kujtesës dhe vlerave të luftës çlirimtare.

“Kosova po pret. Nga Prishtina e deri në Malishevë, çdo orë që numëron mbrapsht bart të njëjtin mesazh: presim drejtësi, presim liri për çlirimtarët tanë”, ishte mesazhi i përcjellë gjatë aktivitetit.

Aktiviteti në Malishevë u zhvillua në prag të Marshit për Liri, që do të mbahet më 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku qytetarë nga e gjithë Kosova pritet të bashkohen në mbështetje të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.

Platforma “Liria Ka Emër” po vazhdon aktivitetet në qytete të ndryshme të Kosovës me mesazhin e përbashkët:

Kosova po pret. Ora e Pritjes është Ora e Lirisë!

Kontrolloni gjithashtu

Dorëzohet planifikimi buxhetor i Komunës së Ferizajt për periudhën 2027–2029 K

Në përputhje me afatet ligjore dhe procedurat e përcaktuara, sot drejtorja e Financave, Sebahate Ajeti-Sadiku, …