Përparim Rama: Buxheti i komunave nuk mund të përdoret për presion politik

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë në detyrë për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen komunat, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për përdorim politik të institucioneve. Në protestën e komunave në Prishtinë, Rama tha se komunat ku Vetëvendosje nuk ka fituar po përballen me bllokime të buxheteve, investimeve dhe të hyrave vetanake. Sipas tij, pasojat e këtyre veprimeve nuk i bartin kryetarët e komunave, por qytetarët. “Albin Kurti po i përdor institucionet për me i blloku dhe ndëshku qytetarët”, tha Rama. Ai e cilësoi situatën si paradoksale, duke thënë se komunat janë detyruar të protestojnë për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e nivelit qendror. Rama kundërshtoi veçanërisht përdorimin e buxheteve komunale si mjet presioni politik. “Buxheti i komunës, o Albin, nuk është instrument i disiplinimit politik. Nuk është diktaturë kjo, është Republikë”, deklaroi ai. Në fund, Rama kërkoi që të ndalen bllokadat dhe që institucionet të funksionojnë në interes të qytetarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Ferit Hoxha takohet me Peter Sorensen në Bled, në fokus dialogu Kosovë-Serbi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka zhvilluar disa takime …