Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka akuzuar Qeverinë për trajtim të pabarabartë të komunave, duke thënë se qytetarët nuk duhet të penalizohen për zgjedhjen e tyre politike. Duke folur në protestën e kryetarëve të komunave në Prishtinë, Latifi tha se fondet publike duhet të ndahen sipas kritereve të qarta dhe nevojave reale të komunave. Ai pretendoi se disa komuna po marrin përfitime dukshëm më të mëdha për kokë banori, ndërsa kërkoi që në ndarjen e mjeteve të merren parasysh numri i banorëve, territori dhe nevojat konkrete. Latifi u ndal edhe te dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore. Sipas tij, shumë familje, fermerë dhe biznese kanë pësuar dëme, ndërsa komunat, për shkak të buxheteve të kufizuara, nuk kanë mundësi t’i mbulojnë ato. Ai tha se komunat janë të parat që reagojnë në raste të tilla, por përgjegjësia për kompensimin e dëmeve bie edhe mbi nivelin qendror. “Shumë fermerë, biznese e komuna ende nuk janë kompensuar. Kjo pritje është e padrejtë”, deklaroi Latifi. Ai kërkoi krijimin e një mekanizmi të qartë për kompensimin e dëmeve dhe theksoi se komunat nuk po kërkojnë trajtim të veçantë, por zbatim të barabartë të ligjit dhe shpërndarje të drejtë të mjeteve publike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
