AKK i drejtohet Qeverisë: Komunat po përballen me barrë financiare, kërkojmë kthimin e mjeteve që u takojnë qytetarëve

Shoqata e Komunave të Kosovës ka paraqitur një varg kërkesash ndaj Qeverisë, në protestën e zhvilluar para ndërtesës së saj, duke kërkuar mbështetje financiare për obligimet që, sipas komunave, janë krijuar si pasojë e vendimeve gjyqësore, kontratave kolektive dhe politikave të nivelit qendror. Kërkesat e komunave u prezantuan nga Sazan Ibrahimi, i cili tha se Qeveria duhet të marrë përsipër kompensimin e obligimeve financiare që lidhen me kontratat kolektive dhe që aktualisht po rëndojnë buxhetet komunale përmes vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore. Ai kërkoi gjithashtu që kompensimi retroaktiv për përvojën e punës, në masën 0.5 për qind nga marsi i vitit 2023, si dhe detyrimet për vitet 2024 dhe 2025, të mbulohen nga buxheti qendror. Një tjetër shqetësim i ngritur nga AKK është financimi i arsimit, ku sipas Ibrahimit, mbi 3 mijë e 100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim si pasojë e kritereve të grantit specifik për arsim, duke krijuar barrë shtesë për komunat. Në listën e kërkesave është edhe rishikimi i këtyre kritereve, ndërsa komunat kërkojnë nga Qeveria edhe ndalimin e asaj që e konsiderojnë centralizim dhe cenim të kompetencave të pushtetit lokal, përfshirë çështjet që lidhen me pronën komunale, rekrutimin dhe kompetencat e tjera vetanake. AKK ka kërkuar gjithashtu përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian dhe për zvogëlimin e mjeteve të grantit të performancës komunale. Në mesin e kërkesave janë edhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet që nga viti 2022 dhe krijimi i një granti të katërt për investime kapitale. Në përmbyllje të kërkesave, Ibrahimi përcolli mesazhin e komunave ndaj institucioneve qendrore: “Mos ua merrni komunave atë që u takon qytetarëve.”

Kontrolloni gjithashtu

A do të gjenden edhe votat për ta zgjedhur Bekim Sejdiun president?

Bekim Sejdiu është emri për të cilin Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë …