Shqipëria dhe Sllovenia forcojnë bashkëpunimin, Ferit Hoxha dhe Tone Kajzer diskutojnë integrimin në BE

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, e ka nisur pjesëmarrjen në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni me një takim me homologun e tij slloven, Tone Kajzer, ku në qendër të bisedimeve ishte procesi i integrimit evropian të Shqipërisë, zhvillimet në Bashkimin Evropian dhe rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor. Hoxha bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social X se gjatë takimit është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e kontakteve mes qytetarëve të Shqipërisë dhe Sllovenisë, me synimin që marrëdhëniet ekonomike dhe njerëzore të ecin në të njëjtin nivel me raportet e mira politike mes dy vendeve. Sipas ministrit shqiptar, Tirana dhe Ljubljana ndajnë qëndrimin se zgjerimi i BE-së duhet të mbështetet në meritë, reforma konkrete, rezultate të matshme dhe besim të ndërsjellë. Ai vlerësoi se përfshirja e Ballkanit Perëndimor në strukturat evropiane nuk është vetëm çështje e integrimit, por po merr gjithnjë e më shumë karakter strategjik për sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit. Hoxha theksoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për të ruajtur ritmin e reformave dhe për të përmbushur detyrimet e procesit të anëtarësimit, duke synuar që negociatat me Bashkimin Evropian të përmbyllen brenda kësaj dekade.

Kontrolloni gjithashtu

A do të gjenden edhe votat për ta zgjedhur Bekim Sejdiun president?

Bekim Sejdiu është emri për të cilin Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë …