Vlora Çitaku: Mos e përfshini Hashim Thaçin në pazare politike

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar që emri i ish-presidentit Hashim Thaçi të mos përfshihet në kalkulimet dhe pazaret e politikës së ditës. Çitaku ka thënë se Thaçi nuk ka nevojë për poste politike, por për t’u kthyer në Kosovë, pranë familjes dhe njerëzve të tij. Ajo ka theksuar kontributin e tij në rrugëtimin politik dhe historik të Kosovës, duke rikujtuar se ai ka shërbyer si kryeministër dhe president, ndërsa më 17 shkurt 2008, në cilësinë e kryeministrit, shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. “Ju lutem, lëreni Hashim Thaçin rehat. Mos e përzieni emrin e tij në këtë mjerim të politikës së ditës. Mos ia lidhni emrin me poste, pazare e kombinime politike. Hashim Thaçi ka bërë shumë më tepër se çfarëdo posti që mund t’i ofrojë politika. Ai ka qenë President. Ka qenë Kryeministër. Por para të gjithave, ka luftuar për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Çitaku. Ajo ka vlerësuar se rrugëtimi i Thaçit është i lidhur drejtpërdrejt me periudha të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke e veçuar veçanërisht shpalljen e Pavarësisë. “Çfarë posti mund të jetë më i madh se kaq?”, ka përfunduar Çitaku.

Kontrolloni gjithashtu

Mbi 220 kërkesa për vetëm 80 ulëse, ja si do të ndiqet aktgjykimi më 16 shtator

Mbi 220 persona kanë kërkuar të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit më 16 …