Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vazhduar në Prishtinë mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare që synon ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Kosovës. Nismës i janë bashkuar edhe disa deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, përfshirë Vlora Çitakun, Blerta Deliu-Kodrën, Arian Tahirin, Ariana Musliu-Shohin, Artan Behramin dhe Sala Jasharin. Në ditët e mëparshme, nismën e kanë mbështetur edhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deputeti Elmi Reçica, ish-gjyqtarja e Gjykatës Supreme, Valdete Dakaj, si dhe ish-deputeti Nuredin Ibishi. Fushata për mbledhjen e nënshkrimeve është zhvilluar edhe në qytete të tjera. Në Gjakovë, nismën e ka nënshkruar kryetari Ardian Gjini, ndërsa në Prizren atë e ka mbështetur Shaqir Totaj. Në Pejë, nënshkrimin e ka dhënë kryetari Gazmend Muhaxhiri, ndërsa aktiviteti ka vijuar edhe në Ferizaj. Për procedimin e kësaj nisme në Kuvendin e Kosovës nevojiten së paku 10 mijë nënshkrime të qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
