Deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, ka reaguar pas përplasjes së krijuar brenda partisë rreth kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke publikuar një mesazh të shkurtër, por me tone të qarta politike, në një kohë kur ai dhe pesë deputetë të tjerë të LDK-së kanë kundërshtuar marrëveshjen e arritur ndërmjet Lumir Abdixhikut dhe Albin Kurtit. Shala ka publikuar në rrjetet sociale një fotografi nga një aktivitet partiak dhe krahas saj ka shkruar: “Njerëzit e lirë, përcaktues të rrugës së përjetshme të LDK-së”. Mesazhi i tij vjen pas kritikave të drejtpërdrejta ndaj grupit të deputetëve që nuk janë pajtuar me kandidaturën e Sejdiut. Marrëveshja për kandidatin presidencial ishte bërë publike nga Abdixhiku dhe Kurti të hënën, ndërsa çështja u diskutua më pas me grupin parlamentar të LDK-së. Megjithatë, takimi nuk solli pajtim të plotë, pasi gjashtë deputetë të kësaj partie – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Janina Ymeri dhe Kujtim Shala – u deklaruan kundër votimit të Bekim Sejdiut për president. Qëndrimi i tyre ka hapur një përplasje të re politike brenda LDK-së, pasi votat e deputetëve të partisë janë të rëndësishme për realizimin e marrëveshjes së paralajmëruar me LVV-në. Në anën tjetër, ndaj “gjashtëshes” kanë nisur kritika edhe nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i kanë akuzuar ata se po rrezikojnë marrëveshjen politike dhe po e shtyjnë vendin drejt zgjedhjeve të reja. Reagimi i Shalës, ndonëse i shkurtër, duket se synon të theksojë autonominë e deputetëve në marrjen e vendimeve dhe kundërshtimin ndaj çdo përpjekjeje për t’ua imponuar qëndrimin. Përplasja rreth presidentit tashmë është shndërruar në një test të rëndësishëm për unitetin e LDK-së dhe raportet brenda koalicionit të mundshëm parlamentar me LVV-në.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
