Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka paralajmëruar se kriza aktuale politike në Kosovë mund të përfundojë me zgjedhje të jashtëzakonshme, duke vlerësuar se marrëveshja e arritur për zgjedhjen e presidentit nuk mund të ketë sukses pa një konsensus të qëndrueshëm dhe pa më shumë seriozitet nga partitë politike. Kryeziu ka shprehur skepticizëm për mundësinë e zgjidhjes së situatës përmes marrëveshjeve të tilla politike, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, po zhvillohen negociatat mes subjekteve politike. Ai ka kërkuar që palët të shmangin deklaratat dhe dokumentet që nuk shoqërohen me një dakordim real dhe të qëndrueshëm. “Unë e konsideroj që nuk mund të arrihet ndonjë marrëveshje në këtë mënyrë. Duhet të jenë më seriozë në marrëveshje dhe mos të merren me letra dhe fjalamani. Kjo duhet me pas një konsensus dhe duhet me qenë serioz”, ka deklaruar Kryeziu. “Konsideroj se përmbyllja e krejt kësaj është se do të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë ai. “Jo seriozitet është te konstituimi i Kuvendit. Konstituimi është dashur të bëhet brenda 30 ditëve, që nga momenti i shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Dhe këta kanë filluar konstituimin në ditën e 30. Aty shihet përherë që nuk është seriozitet për krijimin e institucioneve”, ka deklaruar Kryeziu.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
