Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka paralajmëruar reagim nëse aktgjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, sipas tij, ndikohet nga faktorë politikë. Në një konferencë për media, Jashari ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe në marshin e 12 shtatorit në Prishtinë, ndërsa ka thënë se organizatat e dala nga lufta po përgatiten edhe për ditën e shpalljes së verdiktit, më 16 shtator. Jashari e ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e cilësuar procesin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit si të padrejtë. Sipas tij, nëse vendimi bazohet vetëm në prova, ai pret që ish-krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm. “Ne nuk do të rrijmë me duar kryq”, ka deklaruar Jashari, duke paralajmëruar reagim në rast se vendimi konsiderohet politik. Ai ka lidhur mbrojtjen e luftës së UÇK-së me shtetësinë e Kosovës, duke thënë se cenimi i figurave të ish-krerëve të saj dhe i luftës, sipas tij, nënkupton edhe cenim të shtetit. Ndërkohë, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj, ka ftuar veteranët, invalidët, familjet e dëshmorëve, qytetarët nga Kosova, shqiptarët e rajonit dhe mërgimtarët që t’i bashkohen marshit. Marshi është paralajmëruar për 12 shtator, nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Organizatat e dala nga lufta pritet të zhvillojnë aktivitete edhe më 16 shtator, në ditën e shpalljes së vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
