Shqipëria ka hyrë në një periudhë të rëndësishme të procesit të integrimit evropian dhe duhet të ruajë ritmin e reformave për të mos humbur dinamikën e negociatave me Bashkimin Evropian, ka deklaruar ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Ai i bëri këto deklarata në Dublin, ku mori pjesë në takimin informal të ministrave për çështjet evropiane, ku u diskutua për procesin e zgjerimit të BE-së, reformat që duhet të ndërmarrin vendet kandidate dhe forcimin e kapaciteteve të administratave të tyre. Hoxha ka vënë theksin te nevoja për një angazhim të vazhdueshëm politik dhe për bashkëpunim më të ngushtë me strukturat e Komisionit Evropian, duke vlerësuar se Shqipëria po shënon përparim në fusha të ndryshme. “Vullneti i fortë politik është i domosdoshëm. Ne po përparojmë në çdo çështje, në çdo sektor dhe përmes çdo reforme”, është shprehur ai, duke nënvizuar se përparimi në proces duhet të shoqërohet me rezultate konkrete. Megjithatë, ministri shqiptar ka pranuar se vendi përballet ende me një sërë sfidash që kërkojnë angazhim të vazhdueshëm dhe investime të mëdha. Mes fushave ku nevojiten përmirësime ai ka renditur sundimin e ligjit, menaxhimin e mbetjeve dhe ujërave, cilësinë e ajrit, infrastrukturën mjedisore dhe sigurinë ushqimore, duke theksuar se përmbushja e këtyre objektivave kërkon bashkërendim më të mirë ndërinstitucional dhe bashkëpunim më efikas me BE-në. “Këto sfida kërkojnë koordinim të fortë, angazhim afatgjatë dhe investime të konsiderueshme. Bashkëpunimi ynë duhet të bëhet më operacional, më konkret dhe më i qëndrueshëm”, ka deklaruar Hoxha, shkruan Euronews.al. Në këtë drejtim, ai ka kërkuar që ekspertët shqiptarë të përfshihen më ngushtë në strukturat dhe proceset e punës së Komisionit Evropian, me synim rritjen e kapaciteteve administrative dhe krijimin e një njohjeje më të thellë të mënyrës së funksionimit të institucioneve evropiane. Duke folur për objektivin e Shqipërisë, Hoxha ka thënë se vendi ka një strategji të qartë dhe plane realiste për vijimin e procesit të integrimit. “Ambicia jonë është e qartë, planet tona të punës janë realiste dhe vendosmëria jonë e fortë. Ne do të vazhdojmë të japim rezultate dhe presim të njëjtin angazhim nga Bashkimi Evropian”, ka përfunduar ai.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
